Bota

Lavrov: "Plani i paqes" i SHBA-ve për Lindjen e Mesme favorizon Izraelin

"Drafti amerikan propozon zgjidhjen e të gjitha problemeve kryesore të 'statusit përfundimtar' të territoreve palestineze, si kufijtë, vendbanimet, Kudsin Lindor dhe refugjatët, duke bërë lëshime të njëanshme në favor të Izraelit", tha Lavrov

Elena Teslova   | 17.02.2020
Lavrov: "Plani i paqes" i SHBA-ve për Lindjen e Mesme favorizon Izraelin

Moskë

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov ka deklaruar se "Plani i paqes" i SHBA-ve për Lindjen e Mesme përmban lëshime të njëanshme në favor të Izraelit dhe shkel ligjin ndërkombëtar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë për të përditshmen italiane "La Stampa", Lavrov tha se një qasje e tillë nuk i ndihmon përpjekjet për një zgjidhje të drejtë të çështjes.

"Në stilin e saj të zakonshëm, SHBA propozon zgjidhjen e një prej konflikteve më të gjata të kohës sonë në një përmbytje. Përveç kësaj, Washingtoni në mënyrë të natyrshme injoroi kornizën juridike ndërkombëtare të njohur përgjithësisht për zgjidhjen e krizës në Lindjes e Mesme, e cila përfshin Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së si dhe Nismën Paqja Arabe", tha Lavrov.

Siç thotë Lavrov, drafti amerikan propozon zgjidhjen e të gjitha problemeve kryesore të "statusit përfundimtar" të territoreve palestineze, si kufijtë, vendbanimet, Kudsin Lindor dhe refugjatët, duke bërë lëshime të njëanshme në favor të Izraelit.

Lavrov tha se një zgjidhje me dy shtete kërkon përpjekje "origjinale" nga të dyja palët e konfliktit ndërsa komuniteti ndërkombëtar duhet të sigurojë mbështetje të paanshme për çdo dialog palestinezo-izraelit.

Ai propozoi që Kuarteti i Lindjes së Mesme, SHBA, OKB, BE-ja dhe Rusia, mund të veprojnë si një ndërmjetës.

"Në këtë kontekst, ne mbështesim pozicionin e vendeve anëtare të Ligës Arabe mbi nevojën për bisedime shumëpalëshe për zgjidhjen në Lindjee e Mesme nën kujdesin ndërkombëtar. Ne besojmë se ky rol mund të pranohet me kuartetin e ndërmjetësve ndërkombëtarë, i cili është i vetmi mekanizëm i autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së për të mbështetur procesin e paqes në Lindjen e Mesme", deklaroi Lavrov.

Rusia, si një anëtare e kuartetit, shtoi Lavrov, është e gatshme të ndihmojë në arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Më 28 janar, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, shpalosi të ashtuquajturën "Marrëveshja e Shekullit" për t'i dhënë fund një prej mosmarrëveshjeve më të gjata në Lindjen e Mesme.

Në plan, Trump propozon një shtet palestinez, të bllokuar brenda vendbanimeve të paligjshme izraelite si dhe njohje të sovranitetit të Izraelit mbi Bregun Perëndimor dhe Kudsin si "kryeqytet të pandarë" të Izraelit.

I ashtuquajturi "Plani i paqes" në mënyrë të njëanshme anulon rezolutat e mëparshme të OKB-së për çështjen palestineze dhe propozon t'i jepet Izraelit pothuajse gjithçka që kërkoi.

Turqia e ka kritikuar atë si një përpjekje për të "justifikuar pushtimin dhe aneksimin e Izraelit të Kudsit dhe Bregut Perëndimor".

- Libia pas samitit të Berlinit

Lavrov po ashtu foli edhe për zhvillimet e fundit në Libi, për çka theksoi se disa "zhvillime pozitive" u panë në Libi pas takimit të muajit të kaluar për çështjen e këtij vendi në Berlin.

"Ka zhvillime pozitive. 'Komiteti i përbashkët ushtarak 5+5' ka filluar punën e tij dhe përgatitjet në praktike kanë filluar për nisjen e një mekanizmi të forumit për dialog politik. Konsultimet ndër-libiane mbi çështjet ekonomike po ashtu janë nisur. Këto përfitime duhet të konsolidohen dhe njëkohësisht duhet të bëhet përparimi në gjitha vijat e zgjidhjes", tha Lavrov.

Muajin e kaluar, Gjermania organizoi një samit që kërkonte unitet ndërkombëtar në përpjekjet për një zgjidhje politike dhe armëpushim në Libi.

Në samit morën pjesë përfaqësues nga SHBA-të, Turqia, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, OKB-ja, Algjeria, Kina, Egjipti, Franca, Gjermania, Italia, Republika e Kongos, Emiratet e Bashkuara Arabe, Unioni Afrikan, BE-ja dhe Liga Arabe.

Konferenca përfundoi me premtime për të mbështetur një armëpushim dhe një embargo të armëve, ndërsa krerët e shteteve dhe qeverive u pajtuan të krijojnë një komitet vijues për të diskutuar zbatimin e konkluzioneve.

Që nga rrëzimi i sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011, dy qeveri rivale u shfaqën në Libi, kryekomandanti i forcave jolegjitime Khalifa Haftar në lindje të Libisë i mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) në Tripoli, e cila gëzon njohjen e OKB-së dhe atë ndërkombëtare.

Qeveria legjitime e Libisë është sulmuar nga forcat e Haftarit që nga prilli i kaluar dhe më shumë se 1 mijë persona janë vrarë në atë dhunë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.