Bota

Kurti pas takimit me Vuçiçin: Tri nga katër propozimet tona u refuzuan

“Shprehëm gatishmërinë tonë për dialog konstruktiv për njohje të ndërsjellë. Takimi i radhës do të mbahet para pushimit të verës që nis më 25 korrik. Nuk u pajtuam për axhendën e dialogut të ardhshëm”, tha Kurti

Agim Sulaj  | 15.06.2021 - Përdıtësım : 16.06.2021
Kurti pas takimit me Vuçiçin: Tri nga katër propozimet tona u refuzuan

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendës-kryeministrin Besnik Bislimi, nën ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell dhe emisarit të tij Miroslav Lajçak, është takuar sot me delegacionin nga Serbia të përbërë nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe ministri i Jashtëm Nikola Selakoviq, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nëpërmjet rrjeteve sociale, Kurti ka thënë se në këtë takim ka shpalosur qëndrimin kritik të Qeverisë aktuale të Kosovës për “procesin dhe marrëveshjet e deritanishme” në kuadër të dialogut.

“Shprehëm gatishmërinë tonë për dialog konstruktiv për njohje të ndërsjellë. Takimi i radhës do të mbahet para pushimit të verës që nis më 25 korrik. Nuk u pajtuam për axhendën e dialogut të ardhshëm”, tha Kurti.

Tutje kryeministri Kurti tha se ka bërë 4 propozime në këtë takim.

Propozimi i parë i Kurtit thotë se “gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në”.

Propozimi i dytë nga kryeministri Kurti është që Kosova dhe Serbia menjëherë të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën.

“Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty”, thuhet në propozimin e dytë.

Në propozimin e tretë, pas njohjes së ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë Kurti tha se të dyja vendet do të kenë reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave.

“Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi”, ka nënvizuar Kurti në pikën e tretë.

Ndërsa në pikën e fundit të propozuar nga Kurti, është përmendur çështja e të pagjeturve.

Sipas tij, për këtë çështje, kreun e delegacionit serb, Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999 ishte shefi i qarkut të Kosovës dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me Zoran Angjellkoviq “duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje”.

Kurti ka sqaruar se nga këto propozime, propozimi i parë i tij nuk ka marrë përgjigje, ndërsa tri propozime tjera janë refuzuar.

“Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, Vuçiç dhe Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve”, shtoi Kurti.

Ky ka qenë takimi i parë midis kryeministrit Kurti dhe palës serbe në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.