Bota

"Ku është familja ime?", pyesin ujgurët me frikë për të afërmit e tyre në Kinë

Rajoni është shtëpia e mbi 10 milionë ujgurëve. Grupi turk musliman, i cili përbën rreth 45 për qind të popullsisë në Xinjiang, ka akuzuar prej kohësh autoritetet kineze për diskriminim kulturor, fetar dhe ekonomik

Merve Gül Aydoğan Ağlarcı   | 22.01.2021
"Ku është familja ime?", pyesin ujgurët me frikë për të afërmit e tyre në Kinë Foto: Yasin Aras / AA

Ankara

Ishte një ditë me diell vere kur Alimcan Turdiniyaz vendosi se ka ardhur koha të largohet nga atdheu i tij, ku kishte jetuar gjithë jetën, pasi zbuloi se vajza e tij 5-vjeçare ishte arrestuar nga autoritetet kineze.

"Ku është familja ime?", pyesin ujgurët me frikë për të afërmit e tyre në Kinë

Ishte një ditë me diell vere kur Alimcan Turdiniyaz vendosi se ka ardhur koha të largohet nga atdheu i tij, ku kishte jetuar gjithë jetën, pasi zbuloi se vajza e tij 5-vjeçare ishte arrestuar nga autoritetet kineze. "Vajza ime e madhe ishte vetëm 5-vjeçe kur u mor në paraburgim nga autoritetet kineze në verën e vitit 2012 sepse po ndiqte një shkollë verore fetare", tha ai.Foto: Alimcan Turdiniyaz​​​​​​​​​​​​​​​​​​​​​ ( Yasin Aras - Anadolu Agency )

"Vajza ime e madhe ishte vetëm 5-vjeçe kur u mor në paraburgim nga autoritetet kineze në verën e vitit 2012 sepse po ndiqte një shkollë verore fetare", tha ai.

Ai u ndje me fat pasi familja mund ta kthente vajzën e vogël nga autoritetet kineze me ryshfet. Turdiniyaz, 45-vjeç, jeton në Stamboll për gati 8 vjet me tre vajzat dhe gruan e tij, por zemra e tij është e rënduar nga malli për familjen dhe të afërmit e tij në rajonin kinez perëndimor Xinjiang, i njohur gjithashtu si Turkestani Lindor.

Rajoni është shtëpia e mbi 10 milionë ujgurëve. Grupi turk musliman, i cili përbën rreth 45 për qind të popullsisë së Xinjiangut, ka akuzuar prej kohësh autoritetet kineze për diskriminim kulturor, fetar dhe ekonomik.

Rreth 100 persona u mblodhën në mënyrë paqësore jashtë Konsullatës kineze në Stamboll më 22 dhjetor dhe protestuan për 18 ditë me një kërkesë për të ditur mirëqenien e familjeve të tyre, për të cilët nuk kanë dëgjuar që nga viti 2017.

"Vëllai im i madh, motra ime e madhe dhe bashkëshorti i saj së bashku me dy fëmijët e tyre, dhëndërri i motrës sime të madhe, dhe një mik i imi janë në kampet e ashtuquajtura politike të riedukimit politik", tha Turdiniyaz për Anadolu Agency (AAA) në një intervistë ekskluzive.

Ai tha se autoritetet kineze vizituan të gjitha shtëpitë e familjeve ujgure në Xinjiang në vitin 2016 dhe ata i këshilluan ujgurët të marrin pasaportë dhe të vizitojnë familjet e tyre jashtë vendit.

“Por, pak e dinim se ishte një kurth. Të gjithë ata që shkuan jashtë vendit atë vit e më tej tani janë në kampe ose diku tjetër që ne nuk e dimë”, tha ai.

Duke u mbështetur në shpresën e vogël për t’i parë të dashurit në mediat sociale

Sipas Turdiniyaz, disa madje rekrutohen në fabrikat kineze për punë të detyruar. Ai tha se ata kontrollonin platformat e mediave sociale si TikTok dhe Facebook për të parë nëse ata mund të kishin një "paraqitje të shkurtër" të familjeve të tyre në video incizimet.

“Vëllai im më i madh Nurmemet, është i arsimuar dhe bizneset e tij janë në Kinë. Ai nuk kishte nevojë për qeverinë për t'i dhënë një punë ose shkollim. Por, më vonë zbuluam se ai ishte marrë për shkak të mjekrës”.

Motra e Turdiniyaz Helime dhe kunati Osman Rozi si dhe dy fëmijët e tyre u dërguan në kampe ndërsa vëllai i tij i vogël Elzat Ali është i pagjetur.

Duke punuar si biznesmen në Turqi, Turdiniyaz ishte i angazhuar në tregti midis Kinës dhe Turqisë deri në vitin 2017.

“Vëllai im i vogël Elzat ishte kontabilist i biznesit tim nga viti 2013 deri në vitin 2017. Në vitin 2017, ai u kthye në shtëpi pasi mësuam se nëna jonë ishte e sëmurë. Sapo zbarkoi në Kinë, ai u mor por ne nuk e dimë nëse është në një kamp apo burg, apo diku tjetër”, tha ai derisa shpërtheu në lot.

Në pamundësi për të mbajtur rënkimin, me zemër të plasur u lut që të mësonte për gjendjen e familjes së tij përsëri në Kinë.

“Unë as nuk mund t'i telefonoj sepse nuk dua t'i vë në telashe të afërmit e mi të mbetur. Madje e kuptova vdekjen e nënës time nga të tjerët. Nuk e di nëse vëllezërit dhe motrat e mia apo të afërmit e tjerë të mi kanë vdekur apo janë gjallë”, tha ai duke qarë. 

Në pamundësi për të komunikuar me familjet

Nëna e dy fëmijëve, Amine Vahit, 39-vjeçe, arriti në Turqi në mars të vitit 2015 me djemtë e saj. Ashtu si Turdiniyaz, ajo po ashtu importonte dhe eksportonte mallra në dhe nga Kina deri në vitin 2017.

Bota e saj u shkatërrua kur një mëngjes ajo nuk ishte në gjendje t’i arrijë anëtarët e familjes së saj. Duke përdorur aplikacionin kinez të mesazheve, WeChat për të komunikuar me familjen e saj, Vahit tha se nuk ishte më në gjendje ta përdorte atë sepse të gjithë ata që i njihte e hoqën aplikacionin nga telefonat e tyre dhe nuk komunikojnë me askënd jashtë vendit.

“Në korrik të vitit 2016 e zbulova që vëllai im i madh ishte marrë nga autoritetet kineze, motrat e mia më thanë këtë përmes WeChat. Por, menjëherë pasi vëllai im i madh, motra ime e madhe dhe vëllai im tjetër i madh u morën gjithashtu”, tha Vahit për AA.

Duke përmendur vizitën e saj të fundit në vendlindjen e saj Xinjiang, Vahit tha se kthimi i saj në Turqi ishte një "mrekulli absolute".

"Duhej të shkoja sepse kisha biznese atje dhe shtëpi që doja ta shisja por nuk isha në gjendje ta bëja", shtoi ajo.

Motra e Amine Vahit u dërgua fillimisht në kampe në vitin 2016 dhe ishte mbajtur atje për tre muaj dhe më pas u la e lirë për shkak të përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore.

“Kur isha atje, takova fshehurazi motrën time në spital. Ajo më tha të largohesha menjëherë nga vendi para se të më merrnin edhe mua autoritetet kineze. Ashtu që paketova gjithçka brenda një nate dhe u nisa me fluturimin e parë për në Turqi”, tha ajo.

Duke folur për kampet, Vahit tha se motra e saj i përshkroi ato si një "makth" ku mbaheshin gratë e moshës nga 16 deri në 70 vjeç.

“Çdo mëngjes detyroheshin të vraponin për një orë, përfshirë gratë e moshuara që nuk ishin në gjendje madje as të ecnin. Sipas motrës time, disa humbën jetën për shkak të kushteve të vështira në kampe. Një simite në mëngjes, një supë pasdite dhe një simite tjetër natën jepeshin si ushqim vetëm me një kusht.

"Duhet të gjunjëzohesh dhe të falënderosh qeverinë e Kinës dhe të këndosh këngën e partisë komuniste kineze për të marrë atë ushqim të pamjaftueshëm", tha ajo.

Gratë në kampe u trajtuan keq teksa u detyruan të rishikonin jetën e tyre të mëparshme në vendlindjen e tyre dhe "të pendoheshin për të sikur të ishte një mëkat", tha Vahit.

Motra e saj përsëri u dërgua më vonë në kampe në vitin 2017 dhe që nga ajo kohë Vahit nuk e di se çfarë ka ndodhur me motrën e saj ose dy vëllezërit e saj.

Kina në masë të madhe është akuzuar për vendosjen e ujgurëve në kampe dhe ka pasur raporte për sterilizim të detyruar të grave ujgure.

Politika e Pekinit në Xinjiang ka tërhequr kritika nga grupet e të drejtave të njeriut, përfshirë Amnesty International dhe Human Rights Watch, të cilat e akuzojnë atë për tjetërsimin e 12 milionë ujgurëve në Kinë, shumica e të cilëve janë muslimanë.

Mirzahmet Ilyasoglu, 39-vjeç, jeton në Turqi që nga viti 2007 dhe u bë shtetas turk më vonë. Duke shpresuar të përmbushë aspiratën e babait të tij të ndjerë, Ilyasoglu mori diplomën e tij universitare në Kinë dhe diplomën e tij pasuniversitare në Turqi.

Ilyasoglu ftoi vëllain dhe nënën e tij për të vizituar Turqinë në vitin 2014, ku vizituan lokacionet turistike në Stamboll dhe panë një jetë përtej mureve rreth Xinjiang.

Por, ai udhëtim doli të ishte një makth për familjen Ilyasoglu pasi vëllai i tij Helememet Ilyas u mor nga autoritetet kineze në vitin 2017 për shkak të udhëtimit të tij në Turqi.

“Na u tha që kampet ishin shkolla profesionale, kështu që unë heshta për tre vjet. Por, kur nuk dëgjuam asnjë zë nga familjet tona për tre vjet, nëse janë të vdekur apo të gjallë, atëherë e kuptuam se ato ishin larg të qënurit shkolla”, tha Ilyasoglu në lot.

“Heshtja kundër shtypjes është mënyrë e miratimit”

Ai më vonë zbuloi se kunati i tij, Abdurrehman Kuerwanjiangin po ashtu u dërgua në kampe së bashku me katër miqtë e tjerë të Ilyasoglu.

Duke u përpjekur të mbajë lotët, ai tha: “Unë nuk jam burgosur, por ndjehem ashtu si ata (duke iu referuar atyre në kampe). Përmes këtyre kampeve, Kina po kryen një krim. Nuk ka përkufizim tjetër të kësaj”, tha ai dhe shpërtheu në lot.

"Megjithëse qeveria kineze gjithmonë pretendon se rajoni Xinjiang është një pjesë e Kinës, ajo kurrë nuk i ka parë njerëzit atje si qytetarë të saj", ankohet ai.

Mes atyre që janë dërguar në kampet kontroverse të Kinës, tha Ilyasoglu, ata dijnë të afërmit e miqve të tyre, të cilët janë një burrë i moshuar mbi 90-vjeç, si dhe fëmijë dy vjeç. Fëmijët janë ndarë me forcë, tha Ilyasoglu, duke cituar informacionin që ka marrë nga rajoni.

Sipas Turdiniyaz , rreth 8 milionë njerëz të popullatës muslimane në Xinjiang janë burgosur në një rrjet të zgjeruar të kampeve për "riedukim politik".

"Një mik i imi që ka mbaruar universitetin në Turqi ka vdekur në këto kampe", tha Ilyasoglu derisa dridhej nga pikëllimi dhe shtoi se ka frikë për jetën e anëtarëve të familjes dhe miqve të tij.

Turdiniyaz, Vahit dhe Ilyasoglu të gjithë veç e veç i kërkuan bashkësisë ndërkombëtare, vendeve të botës dhe organizatave humanitare të flasin për padrejtësinë dhe trajtimin çnjerëzor nga qeveria kineze ndaj grupit musliman turk.

"Heshtja kundër shtypjes është thjesht mënyrë e miratimit të saj", tha Ilyasoglu.

Megjithëse Ilyasoglu e mirëpriti raportin vjetor të vitit 2020 nga Komisionit Ekzekutiv i Kongresit të SHBA-ve për Kinën (CECC), ai tha se është një deklaratë e vonuar.

Kina ka kryer "krime kundër njerëzimit dhe ndoshta gjenocid" kundër ujgurëve dhe bashkësive tjera të pakicave muslimane në provincën perëndimore Xinjiang, tha raporti i fundit i CECC.

Më tej thuhet se "qeveria kineze po punon qëllimisht për të shkatërruar ujgurët dhe familjet e tjera të pakicave, kulturën dhe besimin".

Sipas CECC, përveç provave të reja të një politike sistematike dhe të përhapur të sterilizimit të detyruar dhe shtypjes së lindjeve të ujgurëve dhe popullatave tjera të pakicave, ka gjysmë milionë fëmijë të moshës së shkollës së mesme dhe fillore, shumë prej të cilëve janë ndarë pa dashje nga familjet e tyre.

Të gjitha këto "duhet të merren parasysh kur përcaktohet nëse qeveria kineze është përgjegjëse për kryerjen e krimeve të mizorisë, përfshirë gjenocid kundër ujgurëve, kazakëve dhe pakicave të tjera etnike turke dhe kryesisht muslimane në Kinë", thuhet në raport.

Duke jetuar në Turqi që nga viti 2009, Medine Nazimi, 37-vjeçe, është gjithashtu e shkatërruar, e shqetësuar dhe e frikësuar për motrën e saj 34-vjeçare, Mevlude Hilal.

Nazimi, e cila gjithashtu fitoi shtetësinë e saj turke, tha se nuk di për gjendjen e motrës së saj për më shumë se dy vjet.

Hilal, e cila banoi dhe studioi në Turqi dhe ka shtetësi turke, u mor fillimisht nga autoritetet kineze në vitin 2017 por u la e lirë në vitin 2019. Pak kohë pas lirimit, ajo u detyrua të linte pas vajzën e saj atëherë rreth dy-vjeçare dhe u mor në kampe në vitin 2019.

Nazimi tha se nuk e dinë që nga ajo kohë se çfarë i ka ndodhur asaj. Vajza e Hilal tani është 4-vjeçe dhe nuk e njeh nënën e saj dhe as nuk i kujtohet aroma e saj, tha tezja dhe shpërtheu në lot.

Nazimi humbi nënën në vitin 2019 menjëherë pas arrestimit të motrës së saj.

“Si do të ndiheshit sikur të mos të kishit folur me nënën tuaj për 4 vjet dhe pastaj një ditë të bie telefoni dhe t'ju thonë se ajo tani ka vdekur?. Madje, ju as nuk mund të shkonit në varrimin e saj dhe të jepni lamtumirën tuaj të fundit".

Nazimi iu lut qeverisë turke dhe Ministrisë së Jashtme për të mësuar rreth Hilal dhe për ta sjellë atë së bashku me vajzën e saj në Turqi pasi ata janë shtetas të vendit.

“Ngushëllimet nuk janë më të mjaftueshme për ne. Ne e dimë që shumë janë ose të paralizuar ose edhe kanë vdekur në ato kampe. E tëra që dua është të kem motrën time përsëri në Turqi me vajzën e saj. Dua të jem në gjendje ta shoh mbesën time dhe ta përqafojë atë”.

“Megjithëse jetoj në një vend të lirë, nuk ndihem sikur jam e lirë. Derisa ditët kalojnë pa vënë re për motrën time, unë nuk ndihem e lirë”, tha ajo duke qarë.

Human Rights Watch në vitin 2018 shpalosi në detaje një raport ku përshkroi fushatën e qeverisë kineze të "ndalimit masiv arbitrar, torturave, indoktrinimit politik të detyruar dhe mbikëqyrjes masive të muslimanëve të Xinjiang".

Kina, megjithatë, ka mohuar në mënyrë të përsëritur pretendimet se operon kampe ndalimi në rajonin e saj autonom veriperëndimor, duke pretenduar se ata "ri-arsimojnë" ujgurët.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın