Mohammad Sio
29 korrik 2026•Përditësim: 29 korrik 2026
Vizita e planifikuar e kryeministrit irakian Ali al-Zaidi në Arabinë Saudite, e paraparë për të enjten, është shtyrë, raportoi të mërkurën media saudite, transmeton Anadolu.
Televizioni Al Arabiya njoftoi se vizita është shtyrë, por nuk dha ndonjë arsye.
Deri më tani nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga qeveria irakiane.
Shtyrja vjen pasi al-Zaidi urdhëroi të mërkurën mbajtjen e një mbledhjeje urgjente të Këshillit Ministror për Sigurinë Kombëtare, pas sulmeve ajrore të kryera gjatë natës nga SHBA-ja dhe Arabia Saudite në Irak.
Ky zhvillim pasoi një deklaratë të Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), e cila tha se forcat amerikane dhe saudite kryen sulme të përbashkëta precize ndaj objektivave të grupeve të lidhura me Iranin në Irak, duke pretenduar se operacioni kishte në shënjestër lokacione të lidhura me sulmet ndaj forcave amerikane dhe infrastrukturës energjetike saudite.
Arabia Saudite tha se sulmet u kryen në vetëmbrojtje, pas sulmeve të kryera nga territori irakian ndaj objekteve të saj të naftës, duke iu referuar Nenit 51 të Kartës së OKB-së. Ajo paralajmëroi se do të ndërmarrë veprime të mëtejshme ushtarake nëse grupet e mbështetura nga Irani kryejnë sulme të tjera kundër mbretërisë.
Forcat e Mobilizimit Popullor (PMF), një koalicion kryesisht i përbërë nga grupe të armatosura shiite të mbështetura nga Irani, thanë se disa prej selive të tyre u goditën nga sulmet, duke lënë të vrarë të paktën 20 anëtarë të tyre, duke plagosur 32 të tjerë dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.