Lina Altawell
22 korrik 2026•Përditësim: 22 korrik 2026
Kryeministri i Irakut, Ali al-Zeidi do të vizitojë nesër Iranin me një delegacion ministror për të diskutuar mbi bashkëpunimin e gazit dhe zhvillimet rajonale pas një ftese zyrtare nga presidenti iranian, tha sot zëdhënësi i qeverisë Haider al-Aboudi, njoftoi agjencisë irakiane e lajmeve (INA), transmeton Anadolu.
Al-Aboudi tha se çështja e kufizimit të armëve për shtetin është diskutuar vetëm në Bagdad, duke theksuar se është çështje e brendshme e Irakut dhe nuk do të diskutohet në asnjë kryeqytet jashtë Irakut.
Dosja e gazit do të jetë në rend dite gjatë bisedimeve dypalëshe midis Irakut dhe Iranit në përputhje me interesat kombëtare të Irakut, tha ai. Iraku po ndjek një nismë të bazuar në zgjidhje diplomatike, veçanërisht në lidhje me zhvillimet aktuale rajonale, shtoi al-Aboudi.
Ai tha se Iraku gëzon angazhim të gjerë ndërkombëtar, u përmbahet angazhimeve ndërkombëtare dhe vepron në përputhje me interesat e tij kombëtare dhe ekonomike. Iraku gjithashtu ka nënshkruar marrëveshje me SHBA-në, përfshirë mirëkuptimet për të krijuar rrugë alternative të eksportit të naftës, tha zëdhënësi.
"Iraku ka rifituar fuqinë e tij, nuk është pjesë e asnjë boshti konflikti, refuzon ndërhyrjen në punët e vendeve të tjera dhe po shkon drejt një angazhimi më të gjerë të huaj bazuar në interesat e tij ekonomike", shtoi Al-Aboudi.
Kohët e fundit Iraku ka intensifikuar fushatën kundër korrupsionit financiar dhe administrativ, duke çuar në arrestimin e disa zyrtarëve dhe figurave politike javët e fundit.
SHBA-ja ka intensifikuar sulmet ndaj Iranit që nga java e kaluar ndërsa Teherani është përgjigjur me sulme që synojnë objektet dhe bazat që thotë se përdoren nga ushtria amerikane në disa vende në të gjithë rajonin.
Shkëmbimi i zjarrit ka vazhduar pavarësisht nga një memorandum mirëkuptimi i ndërmjetësuar nga Pakistani i nënshkruar nga SHBA-ja dhe Irani në qershor për t'i dhënë fund luftës që filloi në shkurt dhe për të hapur rrugën për marrëveshje të qëndrueshme paqeje.