Bota

Kryeministri i Pakistanit ashpërson tonin ndaj Indisë rreth Kashmirit

Kahn shpërthen pas vendimit të Indisë për revokimin e statusit të veçantë të Xhamu dhe Kashmir para seancës së caktuar të Këshillit të Sigurisë së OKB-së rreth krizës

Ekip   | 16.08.2019
Kryeministri i Pakistanit ashpërson tonin ndaj Indisë rreth Kashmirit

Karaçi

Kryeministri i Pakistanit Imran Khan përsëri reagoi përmes Twitter-it të premten duke paralajmëruar dështimin e të gjitha taktikave "fashiste" të qeverisë indiane për të "shuar luftën për çlirimin e Kashmirit", raporton Anadolu Agency (AA).

Denoncimi i tij i zjarrtë erdhi disa orë para seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku do të diskutohet për situatën e përkeqësuar pasi India javën e kaluar hoqi stasusin special për rajonin e Himalajeve -Xhamu dhe Kashmir.

"Qeveria fashiste dhe supremaciste Hindu e Modit duhet ta dijë se përderisa ushtritë, militantët dhe terroristët mund të mposhten nga forcat superiore; historia na mëson se kur një komb bashkohet në një luftë për liri dhe nuk i trembet vdekjes, asnjë forcë nuk mund ta ndalojë atë nga arritja e qëllimit", tha Khan në një seri postimesh.

"Kjo është arsyeja pse kredoja përjashtuese e qeverisë së drejtuar nga Modi me taktikat e saj fashiste në IOK (Kashmiri i pushtuar nga India) do të dështojë me mjerim në përpjekjen e saj për të shuar luftën çlirimtare të Kashmirit", shtoi ai.

Tensionet në rritje midis fuqive bërthamore të Pakistanit dhe Indisë u përshkallëzuan më tej pas revokimit të statusit të veçantë të luginës piktoreske, e cila është e ndarë midis dy fqinjëve, ku që të dyja e pretendojnë tërësinë e saj.

Udhëheqësit dhe qytetarët e Kashmirit kanë frikë se hapi i qeverisë indiane është një përpjekje për të ndryshuar përbërjen demografike të shtetit me shumicë muslimane, ku disa grupe kanë luftuar kundër sundimit Indian për pavarësi, ose për bashkimin me Pakistanin fqinj.

Duke kundërshtuar lëvizjen e Indisë, Pakistani gjithashtu ka reduktuar marrëdhëniet dypalëshe, ka pezulluar tregtinë dhe ka dëbuar komisionerët e lartë indianë.

Që nga ndarja e tyre në vitin 1947, dy shtetet kanë zhvilluar tre luftëra, në vitet 1948, 1965 dhe 1971. Dy prej këtyre luftërave janë zhvilluar shkaku i Kashmirit.

Sipas disa organizatave për të drejtat e njeriut, mijëra njerëz kanë humbur jetën në konfliktin në rajon që nga viti 1989.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.