Turqia, Bota

Kryeministri Dbeibeh: Marrëveshja detare me Turqinë u shërben libianëve

"Ne nuk pajtohemi me Greqinë në vlerësimin e marrëveshjes detare libiano-turke që u shërben libianëve dhe (për këtë arsye) nuk do ta braktisim atë", tha Dbeibeh

Ekip  | 05.05.2021 - Përdıtësım : 05.05.2021
Kryeministri Dbeibeh: Marrëveshja detare me Turqinë u shërben libianëve

Tripoli

Kryeministri libian, Abdul Hamid Dbeibeh, ka pohuar se Tripoli nuk do të anulojë marrëveshjen detare të nënshkruar me Turqinë, duke theksuar se marrëveshja u shërben libianëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një intervistë me televizionin Al Jazeera me bazë në Doha, kryeministri libian tha se qeveria e tij nuk pajtohet me vlerësimin e Greqisë për marrëveshjen.

"Ne nuk pajtohemi me Greqinë në vlerësimin e marrëveshjes detare libiano-turke që u shërben libianëve dhe (për këtë arsye) nuk do ta braktisim atë", tha Dbeibeh.

Më 27 nëntor, Ankaraja dhe Tripoli arritën dy memorandume të ndara mirëkuptimi, një mbi bashkëpunimin ushtarak dhe një mbi kufijtë detar të vendeve në Mesdheun Lindor.

Kryeministri libian po ashtu foli për mercenarët e huaj në vend, duke theksuar se ka "shenja të mira" për t'i nxjerrë ata nga Libia.

Gjatë viteve të kaluara, komandanti i forcave jolegjitime me qendër në Libinë lindore, Khalifa Haftar, kontraktoi mercenarë nga vende të ndryshme, veçanërisht nga kompania ruse Wagner, me synim për ta ndihmuar atë në operacionet ushtarake kundër qeverisë së njohur ndërkombëtarisht me qendër në Tripoli, veprim i cili dështoi.

Dbeibeh shpjegoi se qeveria e tij ka qenë e suksesshme në bashkimin e rreth 80 për qind të institucioneve shtetërore të Libisë, përveç atij ushtarak.

"Komisioni ushtarak 5+5 është 'bërthama' e procesit të bashkimit të institucionit ushtarak", u shpreh ai.

'Komisioni i përbashkët ushtarak 5+5' përbëhet nga pesë oficerë të lartë ushtarak nga qeveria libiane dhe pesë të zgjedhur nga Haftar-i.

Më 23 tetor të vitit 2020, Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan një marrëveshje të përhershme armëpushimi midis rivalëve ndërluftues të Libisë gjatë një takimi në Gjenevë të 'Komisionit të përbashkët ushtarak 5+5'.

Dbeibeh tha se qeveria e tij nuk është në koordinim me Haftar-in, duke shtuar se "qeveria po koordinon me kreun e komunës Benghazi dhe aparatin e policisë atje".

Kryeministri libian ia atribuoi anulimin e një takimi të fundit të kabinetit në Benghazi çështjeve logjistike, duke premtuar se qeveria e tij së shpejti do të takohet në qytetin i cili akoma është nën kontrollin e milicisë së Haftar-it.

Më 25 prill, Dbeibeh anuloi një vizitë në Benghazi pasi milicët besnikë të Haftar-it rrethuan Aeroportin Benina.

Dbeibeh pritet të zhvillojë një takim të kabinetit në Benghazi, të vizitonte disa institucione, si dhe të shqyrtonte gjendjen e zonave të dëmtuara nga lufta civile e vendit.

Në atë kohë, zv/kryeministri i Libisë, Ibrahim Abu Jinnah, fajësoi milicët pro-Haftar për anulimin e vizitës.

Dbeibeh po ashtu theksoi se qeveria e tij është e vendosur "për shërimin e përçarjes dhe avancimin e pajtimit kombëtar", si dhe shprehu shpresë për mbajtjen e zgjedhjeve në kohë.

Dbeibeh u zgjodh si kryeministër i ri i vendit pas një përparimi në të cilin partitë rivale më 5 shkurt u pajtuan për një autoritet të ri të unifikuar ekzekutiv që do të qeverisë Libinë në prag të zgjedhjeve kombëtare të planifikuar për më 24 dhjetor.

Libianët shpresojnë se qeveria do t'i japë fund viteve të luftës civile që ka përfshirë vendin që nga dëbimi dhe vrasja e Muammar Gaddafi-t në vitin 2011.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.