Politikë, Bota

Kryediplomatja e sapoemëruar e Francës flet me telefon me homologët gjerman dhe amerikan

Catherine Colonna u emërua ministre e Jashtme të premten

Esra Taşkın  | 23.05.2022 - Përdıtësım : 23.05.2022
Kryediplomatja e sapoemëruar e Francës flet me telefon me homologët gjerman dhe amerikan

Paris

Ministrja e Jashtme e sapoemëruar e Francës Catherine Colonna zhvilloi bisedë telefonike të dielën vonë me homologen e saj gjermane Annalena Baerbock dhe sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken, transmeton Anadolu Agency (AA).

Biseda Colonna-Baerbock tregon rëndësinë dhe pozicionin qendror të marrëdhënieve franko-gjermane në shërbim të Evropës, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme franceze.

Gjatë bisedimeve të dy palët shprehën dëshirën për zhvillimin e marrëdhënieve më të ngushta të bazuara në besim, thuhet në deklaratë.

Me ftesë të Baerbock, Colonna do të udhëtojë në Berlin në ditët në vijim. Gjatë vizitës do të diskutohet për takimin e posaçëm të Këshillit Evropian që do të mbahet më 30-31 maj, i cili do të fokusohet në mbrojtjen, energjinë dhe Ukrainën, si dhe Konferencën e Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në fund të qershorit.

Biseda Colonna-Blinken

Gjatë bisedës së tyre telefonike, Colonna dhe Blinken thanë se duan të vazhdojnë zbatimin e Deklaratës së Romës 2021 dhe janë të gatshëm të forcojnë partneritetin e ngushtë midis Francës dhe SHBA-së, thuhet në deklaratë.

Të dy palët theksuan vendosmërinë e tyre për të vazhduar koordinimin e tyre të ngushtë dhe të bazuar në besim në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë dhe diskutuan përpjekjet e vazhdueshme për të mbështetur Ukrainën, veçanërisht në drejtim të pajisjeve të mbrojtjes.

Colonna dhe Blinken theksuan gjithashtu se dëshirojnë të forcojnë koordinimin ndërkombëtar për krizën e fundit të ushqimit që ka lindur si rezultat i luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Gjatë bisedës u diskutua edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe aplikimet e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO.

Të dy diskutuan gjithashtu rëndësinë e kthimit në marrëveshjen e Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA) mbi aktivitetet bërthamore të Iranit, sipas deklaratës.

Presidenti francez Emmanuel Macron emëroi të premten kabinetin e tij të ri.

Me këtër rast, Colonna u emërua ministrja e re e Jashtme.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.