Bota

Kryediplomati rus dhe ai amerikan diskutojnë konfliktin në Ukrainë

Në hapjen e takimit që u transmetua drejtpërdrejtë në margjinat e konferencës së OSBE-së, që po mbahet në Stockholm, Lavrov dhe Blinken e bënë të qartë se zgjidhja e konfliktit të Ukrainës do të jetë në krye të axhendës

Elena Teslova   | 02.12.2021
Kryediplomati rus dhe ai amerikan diskutojnë konfliktin në Ukrainë

Moskë

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov dhe sekretari i shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, janë takuar në Stockholm për të diskutuar një sërë çështjesh dypalëshe dhe ndërkombëtare, përfshirë konfliktin në Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në hapjen e takimit që u transmetua drejtpërdrejtë në margjinat e konferencës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), që po mbahet në Stokholm, Lavrov dhe Blinken e bënë të qartë se zgjidhja e krizës të Ukrainës do të jetë në krye të agjendës.

Lavrov tha se Rusia është e interesuar të bashkojë përpjekjet me SHBA-në për të zgjidhur konfliktin ukrainas në përputhje me hapat e ndërmarra në Formatin e Normandisë (Rusia, Gjermania, Franca dhe Ukraina).

"Ne jemi të interesuar të bashkojmë përpjekjet për zgjidhjen e krizës ukrainase. Homologët tanë amerikanë vazhdimisht kanë thënë se duan të ndihmojnë pa e rrënuar Formatin e Normandisë duke rivendosur një kanal të posaçëm dialogu që ekzistonte nën administratën e mëparshme", tha Lavrov.

Kryediplomati rus u pajtua se tensionet në Evropë janë rritur kohët e fundit, duke theksuar se e vetmja mënyrë për të normalizuar situatën është përmes gjetjes së një ekuilibri të interesave.

"Nuk kam asnjë dyshim se e vetmja rrugëdalje nga gjendja aktuale e krizës, vërtet shumë të tensionuar, është të kërkojmë një balancë të interesave dhe shpresoj se sot do të merremi me këtë", tha ai.

Siç theksoi Lavrov, Rusia nuk dëshiron asnjë konflikt, por përgjigja e Rusisë ndaj zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s do të jetë garantimi i interesave të saj legjitime të sigurisë.

"Të mos harrojmë parimin e shpallur në mënyrë të përsëritur të pandashmërisë së sigurisë, përfshirë brenda OSBE-së dhe Këshillit Rusi-NATO, i cili thotë se askush nuk duhet të forcojë sigurinë e të tjerëve. Avancimi i mëtejshëm i NATO-s në lindje patjetër se do të ndikojë në interesat themelore të sigurisë sonë", tha ai.

Sa i përket marrëdhënieve dypalëshe ruso-amerikane, ai tha se një nga çështjet që mund të zgjidhet më shpejt janë problemet me të cilat përballen diplomatët rusë në SHBA dhe diplomatët amerikanë në Rusi.

SHBA thellësisht e shqetësuar për planet e Rusisë

Nga ana tjetër, sekretari amerikan i shtetit ri-konfirmoi preferencat e SHBA-së për një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të parashikueshme me Rusinë.

"Mirëpo, siç e kemi bërë shumë të qartë javët e fundit se kemi shqetësime të thella në lidhje me planet e Rusisë për ripërtëritje të agresionit kundër Ukrainës, kjo do të na lëvizte pikërisht në drejtimin e kundërt dhe thjesht nuk është në interesin e askujt", tha Blinken.

Ai theksoi se çështja në fjalë nuk është shqetësim vetëm i SHBA-së, por është shqetësim edhe nga shumë të tjerë në Evropë.

"Ne kemi një përkushtim të fortë dhe të hekurt për sovranitetin, integritetin territorial të Ukrainës. Mënyra më e mirë për të shmangur krizën është përmes diplomacisë dhe kjo është ajo që mezi pres të diskutoj me Sergey-n, përfshirë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Minskut", tha Blinken.

Blinken shtoi se SHBA-ja është e gatshme të lehtësojë përmirësimin e lidhjeve midis Moskës dhe Kievit, por nëse Rusia vendos të ndjekë konfrontimin do të ketë pasoja të rënda.

Ai po ashtu tha se do të dëshironte të diskutojë me homologun e tij rus rivendosjen e marrëveshjes bërthamore iraniane, zgjidhjen e Karabakut dhe lirimin e qytetarëve amerikanë të burgosur në Rusi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın