Ceren Aydınonat
30 korrik 2026•Përditësim: 30 korrik 2026
Presidenti i Federatës Turke të Basketbollit, Hidayet Turkoglu, tha se prioriteti kryesor i Turqisë është sigurimi i kualifikimit në Kupën e Botës FIBA 2027 në Katar pas sukseseve të fundit të ekipit kombëtar.
Duke folur për Anadolu, Turkoglu tha se ecuria pa humbje e ekipit kombëtar të meshkujve të Turqisë me gjashtë fitore në gjashtë ndeshje në raundin e parë të Kualifikueseve Evropiane për Kupën e Botës FIBA 2027 ishte një arritje e rëndësishme.
"Ne arritëm të përfundojmë si nënkampionë të Evropës pas shumë vitesh në EuroBasket 2025. Është gjithashtu shumë e vlefshme për ne që lojtarët tanë e përfunduan fazën e parë të grupeve me gjashtë fitore. Dua të përgëzoj si trajnerin tonë kryesor, ashtu edhe lojtarët tanë për këtë arritje. Pas suksesit tonë në Kampionatin Evropian, ambiciet tona janë rritur edhe më shumë", tha ai.
Turkoglu tha se paraqitjet e ekipit treguan se gjithçka është e mundur në basketbollin e turneve dhe shprehu besim te skuadra.
Ai vleresoi harmonine e ekipit dhe tha se lojtarët që luajnë në NBA, EuroLeague dhe Ligën Turke janë të gatshëm t'i bashkohen ekipit kombëtar pasi të përfundojnë sezonet me klubet e tyre.
"Besoj se në gusht do të fillojmë përgatitjet për ndeshjet tona me një skuadër të fortë dhe të plotë. Ata e kanë fituar vendin e tyre këtu përmes paraqitjeve dhe shpirtit luftarak, dhe pres që në gusht të jemi me përbërje të plotë", shtoi ai.
Turkoglu tha gjithashtu se klubet turke e kanë përfaqësuar me sukses vendin në garat evropiane dhe mbështeti pjesëmarrjen e tyre në projektin e propozuar NBA Europe.
"Klubet tona e kanë përfaqësuar basketbollin turk në mënyrën më të mirë të mundshme gjatë tetë viteve të fundit. Të kemi një klub turk të përfshirë në projektin NBA Europe është gjithashtu shumë e rëndësishme për ne. Gjithashtu ka shumë rëndësi për ne që klubet tona të garojnë në kompeticionet e FIBA-s dhe të përfaqësojnë vendin tonë. U uroj të gjitha klubeve tona shumë fat", tha ai.
Turkoglu u bëri thirrje gjithashtu tifozëve të basketbollit që të mbështesin ekipin kombëtar të femrave të Turqisé në Kupën e Botës FIBA për Femra 2026, e cila do të zhvillohet në Berlin të Gjermanisë nga 4 deri më 13 shtator.