Bota

Koronavirusi: Në anijen e ndaluar në Japoni, 3 shtetas nga Maqedonia e Veriut

Anija e ndaluar në portin e qytetit Yokohama është vendosur në karantinë për shkak se nga gjithsej 3.700 udhëtarët e anijes të paktën 20 persona janë konfirmuar me koronavirus

06.02.2020
Koronavirusi: Në anijen e ndaluar në Japoni, 3 shtetas nga Maqedonia e Veriut

Shkup

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se në bordin e një anijeje të ndaluar në afërsi të qytetit japonez Yakohama, shkaku i personave të infektuar me koronavirus, ndodhen 3 shtetas të Maqedonisë së Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit të ministrisë, e cila bazohet në informacionet e fundit të marra nga Ministria e Punëve të Jashtme e Japonisë, deri më tani në anije janë konfirmuar 20 persona të infektuar me koronavirus.

“Arsyeja e ndalimit të anijes është prania e personave të infektuar me koronavirus. Deri më tani, 20 persona janë konfirmuar me koronavirus”, tha ministria në një njoftim.

Agjencia japoneze e lajmeve Kyodo raportoi se anija e ndaluar në portin e qytetit Yokohama është vendosur në karantinë, për shkak se nga gjithsej 3.700 udhëtarët e anijes të paktën 20 persona janë konfirmuar me koronavirus.

Ministri japonez i Shëndetësisë, Katsunobu Kato, dje konfirmoi se dhjetë persona nga bordi i anijes tashmë ishin shtruar në spital për shkak të koronavirusit.

Sot, zyrtarët japonezë njoftuan edhe për dhjetë raste të tjera të konfirmuara me koronavirus brenda anijes, të cilët janë të moshës midis midis 50 dhe 70 vjeçare dhe të cilët pritet të dërgohen për trajtim në spital. Dhjetë të infektuarit që u konfirmuan sot janë katër japonezë, dy amerikanë, dy kanadezë, një shtetas i Tajvanit dhe një i Zelandës së Re. Bëhet fjalë për persona të moshës midis 50 dhe 70 vjeçare, të cilët do të dërgohen për trajtim në spital.

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë i Kinës sot njoftoi se numri i vdekjeve në vend nga shpërthimi i koronavirusit është rritur në 564. Komisioni tha se poashtu 28.018 raste të konfirmuara janë raportuar deri më tani.

Virusi i ri, i shfaqur për herë të parë në qytetin kinez Wuhan, pretendohet se është transmetuar te njerëzit nga kafshët, veçanërisht lakuriqët. Ajo ka ngritur alarmin në të gjithë botën, me raste të raportuara në më shumë se 20 vende të botës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) muajin e kaluar e shpalli shpërthimin e virusit një emergjencë ndërkombëtare.

Ndër shumë vende të botës që kanë filluar me zbatimin e masave parandaluese kundër koronavirusit është edhe Maqedonia e Veriut, e cila në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit nga 27 janari ka filluar me skanimin në kamera termike të pasagjerëve të ardhur me fluturimet nga Stambolli dhe Dubai. Ekipet mjekësore po ashtu janë aktivizuar në aeroport për të kontrolluar pasagjerët e dyshimtë.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın