Zehra Ulucak
03 Qershor 2017•Përditësim: 04 Qershor 2017
SINGAPOR (AA) - Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, tha se janë duke e vlerësuar si "rrezik të hapur dhe ekzistues" përpjekjen në rritje të Koresë së Veriut për zhvillimin e raketave bërthamore "që kërcënon SHBA-të dhe shtetet tjera", raporton Anadolu Agency (AA).
Mattis i cili gjendet në mbledhjen "IIS Shangri-La Dialogue 2017" në Singapor, në një fjalim theksoi se "Përpjekjet në rritje të Koresë së Veriut për zhvillimin e raketave bërthamore të cilat kërcënojnë SHBA-të dhe shtetet e tjera janë një rrezik i hapur dhe ekzistues".
Ai duke theksuar se administrata e presidentit amerikan Donald Trump e konsideron si inkurajues angazhimin e ripërtërirë të Kinës për të punuar me SHBA-të dhe shtetet e tjera për të shpëtuar nga armët nukleare të Koresë së Veriut, u shpreh se është duke menduar që aleati më i afërm i Koresë së Veriut, Kina, më së fundi këtë do ta shoh si një përgjegjësi.
Mattis, në mbledhjen e mbështetur nga Institucioni Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), më tej duke e kritikuar administratën e Pekinit se është duke shkelur të drejtën ndërkombëtare me "militarizimin e padiskutueshëm" të ishujve artificial në zonat e kontestuara në Detin Jugor Kinez, tha se "Në Detin Jugor Kinez nuk mund të pranojmë dhe nuk do të pranojmë ndryshimet e njëanshme dhe detyruese në status quo".
"Jemi të përkushtuar të punojmë afër me Kinën në vendet ku kemi qëllime të përbashkëta", u shpreh Mattis duke theksuar se të dyja vendet mund të bashkëpunojnë për përfitime reciproke.
Ai në lidhje me pyetjen nëse SHBA-të do të zhvillojnë sulm parandalues kundër Koresë së Veriut pa paralajmëruar Korenë e Jugut, tha se "Jemi duke punuar në aspektin ekonomik dhe diplomatik për të eliminuar të gjitha alternativat e mundshme, për të parandaluar këtë garë të armëve nukleare të cilat shkelin sanksionet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për aktivitetet e Koresë së Veriut. Këtë e konsiderojmë urgjente."
Mattis në intervistë për televizionin CBS në fillim të javës, duke rikujtuar provat bërthamore dhe balistike që kryen Koreja e Veriut dhe reagimin e bashkësisë ndërkombëtare kishte thënë se do të ishte katastrofike nëse tensionet me Korenë e Veriut rriten në luftë. “Lufta që mund të ndodhë në Korenë e Veriut me shumë gjasa mund të jetë lloji më i keq i luftës në jetën e shumë njerëzve”, kishte theksuar Mattis.