Bota

Koreja e Veriut paralajmëron SHBA-në për kundërmasa ndaj marrëveshjes së nëndetëseve

"Koreja e Veriut po shqyrton nga afër marrëveshjen", tha zyrtari i ministrisë i cili shtoi se do vazhdojnë veprimet reciproke "nëse kjo do të ketë ndikimin më të vogël negativ mbi sigurinë e vendit"

Saadet Firdevs Aparı   | 20.09.2021
Koreja e Veriut paralajmëron SHBA-në për kundërmasa ndaj marrëveshjes së nëndetëseve

Ankara

Koreja e Veriut kritikoi vendimin e SHBA-së për të siguruar nëndetëse me energji bërthamore për Australinë dhe paralajmëroi Washingtonin se mund të zbatojë kundërmasa nëse përcaktohet se marrëveshja prek sigurinë e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Një zyrtar nga Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, e ka cilësuar marrëveshjen mes SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Australisë si një "veprim jashtëzakonisht të rrezikshëm" i cili do të nxisë një reaksion zinxhir të garës për armë" dhe i cili do të prishë balancën e sigurisë në Azi-Paqësor.

"Koreja e Veriut po shqyrton nga afër marrëveshjen", tha zyrtari i ministrisë i cili shtoi se do vazhdojnë veprimet reciproke "nëse kjo do të ketë ndikimin më të vogël negativ mbi sigurinë e vendit".

"Situata aktuale tregon edhe njëherë se nuk duhet të lehtësohen aspak përpjekjet tona për të forcuar aktivitetet tona të mbrojtjes kombëtare të bazuara në perspektivat afatgjata", tha zyrtari në një deklaratë për mediat lokale.

Marrëveshja e partneritetit të sigurisë AUKUS

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, në një takim virtual ndërkontinental me kryeministrin britanik Boris Johnson dhe me presidentin amerikan Joe Biden njoftoi se flota e mëpasshme e nëndetëseve të vendit të tij do të punojnë me energji bërthamore dhe se ajo do të ndërtojë bashkëpunim me Britaninë dhe SHBA-në.

Në kuadër të marrëveshjes së sigurisë të emërtuar "AUKUS" që përbëhet nga shkurtimet në anglisht të emrave të tre vendeve palë në marrëveshje, do të ndërtohen të paktën 8 nëndetëse që punojnë me energji bërthamore në kantieret detare në kryeqytetin Adelaide në rajonin e Australisë Jugore.

Sipas marrëveshjes, nëndetëset me energji bërthamore që do të posedojë Australia, do të përdoren për të ofruar kontribut në mbrojtjen e interesave të përbashkëta të vendeve palë në marrëveshje dhe për të mbështetur stabilitetin në Indo-Paqësor.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian ka reaguar ndaj marrëveshjes AUKUS e cila është njoftuar se është bërë kundër pranisë ushtarake në rritje të Kinës në rajonin Indo-Paqësor. Po ashtu zëdhënësi kritikoi se marrëveshja do të minojë në mënyrë serioze paqen dhe stabilitetin rajonal.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.