Bota

Koreja e Veriut konfirmon testimin e "modelit të ri" të raketës balistike

Testi i ri rrit presionet përpara takimit të SHBA-së, Koresë së Jugut dhe Japonisë për rifillimin e mundshëm të dialogut me Phenianin

Islam Uddin   | 20.10.2021
Koreja e Veriut konfirmon testimin e "modelit të ri" të raketës balistike

Ankara

Koreja e Veriut sot konfirmoi testin e një raketë të re balistike të shkrepur nga nëndetëset (SLBM) një ditë më parë, që është testi i parë nënujor i vendit që nga viti 2019, transmeton Anadolu Agency (AA).

Testi i suksesshëm forcon teknologjinë mbrojtëse të Koresë së Veriut dhe rrit aftësinë operacionale nënujore të marinës së saj, raportoi Agjencia Qendrore e Lajmeve Koreane (KCNA), së bashku me një seri fotografish.

Më tej thuhet se modeli i ri SLBM ka "shumë teknologji udhëzuese të kontrollit të avancuar, përfshirë lëvizjen nga krahu dhe ndryshimin e shpejtësisë së lëvizshmërisë", duke shtuar se lansimi është kryer nga "anija e njëjtë 8.24 Yongung" e përdorur për testin e parë SLBM të Koresë së Veriut në vitin 2016.

Testi i tetë i raketave nga Koreja e Veriut këtë vit dhe i pesti që nga shtatori vjen kur Pheniani kundërshton atë të cilën e konsideron si "politikë armiqësore" të SHBA-së dhe Koresë së Jugut.

Lansimi i testit SLBM u bë ndërsa Washingtoni, Seuli dhe Tokioja përgatiten për një takim trepalësh mbi Korenë e Veriut, përfshirë rifillimin e mundshëm të bisedimeve dhe dërgimin e ndihmës humanitare në shtetin me rreth 25 milionë banorë.

Sung Kim, i dërguari special i Washingtonit për Korenë e Veriut, gjithashtu po planifikon të vizitojë Seulin më vonë gjatë kësaj jave mes sinjaleve të administratës së presidentit amerikan Joe Biden se është i hapur për rinisjen e bisedimeve me Phenianin.

Duke reaguar ndaj testit të fundit raketor, presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in tha se vendi i tij do të rrisë aftësitë e tij mbrojtëse.

"Një aftësi e fortë mbrojtëse synon gjithmonë të sigurojë paqen", citoi Agjencia e Lajmeve Yonhap, Moon të ketë thënë sot në hapjen e një ekspozite mbrojtëse.

"Republika e Koresë kërkon të ndërtojë një forcë të armatosur të zgjuar dhe të fortë të bazuar në teknologjinë më të avancuar", shtoi ai.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un ka përdorur një arsyetim të ngjashëm pasi Pheniani vazhdon të kundërshtojë sanksionet e OKB-së për të kryer teste raketore, duke pohuar se ai synon vetëm të pengojë "forcat armiqësore" dhe nuk kërkon luftë me Washingtonin ose Seulin.




Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.