Bota, Shëndetësi, Koronavirusi

Koreja e Jugut regjistron rastet më të larta ditore me COVID-19 që nga shpërthimi i pandemisë

Të dhënat e fundit të Agjencisë Koreane të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve tregojnë se shifrat e fundit ditore çuan numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara me këtë virus në 193.427derisa vendi lufton me valën e katërt të shpërthimit

Islam Uddin   | 28.07.2021
Koreja e Jugut regjistron rastet më të larta ditore me COVID-19 që nga shpërthimi i pandemisë

Ankara

Koreja e Jugut ka raportuar 1.896 raste të tjera të koronavirusit të ri (COVID-19), shifra më e lartë ditore që nga shpërthimi i pandemisë në vendin aziatik në muajin janar të vitit 2020, transmeton Anadolu Agency (AA).

Të dhënat e fundit të Agjencisë Koreane të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve tregojnë se shifrat e fundit ditore çuan numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara me këtë virus në 193.427 derisa vendi lufton me valën e katërt të shpërthimit.

Rastet e reja me COVID-19 në Korenë e Jugut janë rritur që nga 7 korriku kur autoritetet raportuan se po përhapet lloji më shumë i transmetueshëm Delta i koronavirusit, i identifikuar për herë të parë në Indi.

Me katër viktima të tjera gjatë ditës së fundit, numri i të vdekurve po ashtu u rrit në 2.083.

Sipas agjencisë së lajmeve "Yonhap", autoritetet shëndetësore koreane kanë shprehur frikë se kurba e virusit akoma mund të mos ketë arritur kulmin e saj, pasi lloji Delta po bëhet lloji dominues në vend.

Për të kontrolluar përhapjen e virusit, qeveria ka zgjatur më tej masat e distancës shoqërore në "nivelin 4" në kryeqytetin Seul dhe në zonat përreth për dy javë të tjera deri më 8 gusht.

Nën kufizimet e "nivelit 4", është ndaluar grumbullimi i më shumë se dy personave pas orës 18:00 pasdite, ndërsa restorantet dhe kafenetë lejohen të shërbejnë deri në orën 10:00 në mbrëmje. Klubet e natës dhe vendet e tjera të argëtimit janë të ndaluar të operojnë.

Sipas shifrave zyrtare, deri më tani në Korenë e Jugut dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19 e kanë marrë rreth 17,9 milionë persona, shifër e cila përbën 34,9 për qind të popullsisë së përgjithshme. Megjithatë, vetëm 6,97 milionë persona janë vaksinuar plotësisht kundër pandemisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın