Bota

Koreja e Jugut “përgënjeshtron” heqjen e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut

Ministri Ço ka bërë të ditur se po vazhdojnë punimet për rritjen e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve me Korenë e Veriut, dhe se sanksionet nuk mund të hiqen pa u marrë masat në lidhje me ngjarjen e anijes luftarake Cheonan

Ahmet Dursun  | 11.10.2018 - Përdıtësım : 11.10.2018
Koreja e Jugut “përgënjeshtron” heqjen e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut

Ankara

ANKARA (AA) - Ministri për Unifikimin i Koresë Jugore, Ço Myoung-gyon, ka njoftuar se Koreja e Jugut nuk mendon të heqë sanksionet ndaj Koresë së Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të agjencisë Yonhap, ministri Ço Myoung-gyon, në një fjalim drejtuar deputetëve në kryeqytetin Seul pas reagimeve nga presidenti amerikan, Donald Trump, në lidhje me deklaratat e qeverisë së Seulit se do të hiqen sanksionet kundër Koresë së Veriut, u shpreh se "Nuk është bërë ndonjë shqyrtim i detajuar për heqjen e sanksioneve".

Ço ka bërë të ditur se po vazhdojnë punimet për rritjen e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve me Korenë e Veriut, dhe se sanksionet nuk mund të hiqen pa u marrë masat në lidhje me ngjarjen e anijes luftarake Cheonan, që ka shkaktuar imponimin e sanksioneve.

"Presim përparime në samitin e dytë që do të zhvillohet mes liderëve të Koresë së Veriut dhe SHBA-ve", është shprehur ndër të tjera Ço, duke theksuar se është optimist nëse dy liderët e SHBA-ve dhe Koresë së Veriut do të takohen sërish në lidhje me çështjen e çarmatosjes së Gadishullit Korean nga armët bërthamore.

Ministrja e Jashtme e Koresë së Jugut, Kang Kyung-wha, në një deklaratë ditën e djeshme kishte njoftuar se Seuli ka vlerësuar heqjen në masë të madhe të sanksioneve të emërtuara "masat e 24 majit" dhe të cilat u vendosën pas sulmit ndaj anijes luftarake në vitin 2010, ku si pasojë humbën jetën 45 ushtarë koreanojugorë.

Ndaj deklaratave të Koresë së Jugut për heqjen e njëanshme të sanksioneve reagoi edhe presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ku pasi ka mbrojtur idenë e tij se Koreja e Jugut nuk mund të heqë sanksionet ndaj Phenianit pa miratimin e SHBA-ve, ai u shpreh se "Nuk do ta bëjnë pa miratimin tonë. Ata nuk bëjnë asnjë gjë pa miratimin tonë".


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.