Bota

Koreja e Jugut i bën thirrje Kinës dhe Rusisë të parandalojnë testimin bërthamor të Koresë së Veriut

Ministri i Bashkimit i Koresë së Jugut, Kwon Young-se, në një konferencë për media tha se Koreja e Veriut po vendos gjithnjë e më shumë në objektiv Korenë e Jugut me programin e saj bërthamor

Saadet Firdevs Aparı  | 27.06.2022 - Përdıtësım : 27.06.2022
Koreja e Jugut i bën thirrje Kinës dhe Rusisë të parandalojnë testimin bërthamor të Koresë së Veriut

Seul

Koreja e Jugut i ka bërë thirrje Kinës dhe Rusisë të bindin Korenë e Veriut për të mos bërë testim bërthamor, transmeton Anadolu Agency (AA)

Ministri i Bashkimit i Koresë së Jugut, Kwon Young-se, në një konferencë për media tha se Koreja e Veriut po vendos gjithnjë e më shumë në objektiv Korenë e Jugut me programin e saj bërthamor.

Kwon theksoi se ndërkohë që vendet perëndimore nën udhëheqjen e SHBA-së janë të zënë me pushtimin e Ukrainës nga Rusia, Koreja e Veriut vazhdon të zhvillojë armë bërthamore dhe të përdorë mjedisin e favorshëm për të ndryshuar situatën aktuale në rajon.

Ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut, tha Kwon, janë një "kërcënim serioz dhe thelbësor" për vendin tonë dhe Koreja e Jugut ka përgatitur masa të ashpra kundër një testimi të mundshëm bërthamor.

"Duket qartë se Koreja e Veriut është në kërkim të aftësisë së saj për të sulmuar në të njëjtën kohë edhe SHBA-në, edhe Korenë e Jugut" tha Kwon.

Duke i bërë thirrje Kinës dhe Rusisë të bindin Korenë e Veriut që të mos bëjë testim bërthamor, Kwon u shpreh se, "Nëse Koreja e Veriut vazhdon të testojë armë bërthamore në një kohë kur siguria globale është kaq e paqëndrueshme, ajo do të përballet me kritika të mëdha nga komuniteti ndërkombëtar dhe përgjigja do të jetë më shumë se sa fjalët".

Më 24 qershor, lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka dhënë urdhër për forcimin e kapacitetit të mbrojtjes dhe për rritjen parandaluese të vendit.

Qeveria e Phenianit për herë të fundit më 5 qershor testoi një raketë balistike me rreze të shkurtër. Me testimin e fundit, Koreja e Veriut ka kryer 17 herë testime raketore që nga fillimi i vitit 2022.

Më 10 qershor, zv/ministrat e jashtëm të SHBA-së, Japonisë dhe Koresë së Jugut ranë dakord për rritjen e bashkëpunimit trepalësh të sigurisë përballë programit të armëve të Koresë së Veriut.

Në një njoftim pas takimit, u dënuan fuqishëm testimet e paligjshme raketore të Koresë së Veriut dhe u theksua se me këtë vend është "lënë hapur dera për dialog serioz dhe të vazhdueshëm".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.