Bota

Kopshti zoologjik në Kiev strehë për kafshët nga pjesë të rrezikshme të vendit

Kopshti zoologjik i Kievit, i cili u mbyll në ditët e para të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës që filloi më 24 shkurt, u rihap për vizitorët javën e kaluar

Ekip   | 19.05.2022
Kopshti zoologjik në Kiev strehë për kafshët nga pjesë të rrezikshme të vendit Foto: Doğukan Keskinkılıç / AA

Kiev

Kopshti zoologjik në Kiev të Ukrainës është kthyer në një shtëpi për kafshët e sjella nga kopshtet zoologjike nga rajonet e rrezikshme të vendit ku ende vazhdon lufta, shkruan Anadolu Agency (AA).

Kopshti zoologjik i Kievit, i cili u mbyll në ditët e para të luftës midis Rusisë dhe Ukrainës që filloi më 24 shkurt, u rihap për vizitorët javën e kaluar. Nga sulmet ruse janë prekur edhe kafshët në kopshtin zoologjik, i cili vizitohet nga shumë banorë të kryeqytetit.

Kafshët vazhdojnë të sillen në kopshtin zoologjik të Kievit nga zonat ku vazhdojnë luftimet.

Drejtori i përgjithshëm i kopshtit zoologjik të Kievit, Kiril Trantin tha se parku, i cili është kopshti zoologjik më i madh në vend, u hap 115 vjet më parë.

Duke thënë se në kopshtin zoologjik ka rreth 200 lloje kafshësh, Trantin tha se kafshët e kishin pasur të vështirë gjatë ditëve kur ushtria ruse sulmoi Kievin.

"Elefanti ynë ishte shumë i stresuar. Ne duhej t'i shtonim qetësues në ushqimin që i dhamë. Zebrat gjithashtu u stresuan. Në ditën e 20-të të luftës, ne filluam t'i nxjerrim kafshët në ambient të hapur vetëm për 5-10 minuta në ditë, sepse sistemi i mbrojtjes ajrore funksiononte", tha Trantin.

"Në kopshtin tonë u sollën 141 kafshë nga zona të rrezikshme"

Ai shpjegoi se 141 kafshë u shpëtuan nga rajonet e rrezikshme të vendit dhe u sollën këtu për shkak të luftës. "Disa njerëz sollën kafshët e tyre shtëpiake këtu dhe shkuan në vende të sigurta. Nga kopshti zoologjik i Kharkivit u sollën tigra ndërsa nga fshati Makariv ku vazhdojnë luftimet u sollën fazanë. Ka edhe disa kafshë të sjella nga rajoni Jitomir. Këtu përfshihen majmunët, breshka, papagaj, fazanë, hardhuca, gjarpërinj. Pas fillimit të luftës është sjellë këtu një gazelë e plagosur. Nuk mund ta shpëtonim", tha Trantin.

Trantin theksoi se kopshti zoologjik ka marrë ndihmë nga vendet evropiane të cilat ofrojnë mbështetje edhe për kopshtet zoologjike në pjesë të tjera të Ukrainës.

Sipas tij, kopshti zoologjik u rihap për vizitorët javën e kaluar. "Qytetarët kanë nevojë për qetësi gjatë luftës. Ka pasur njerëz që janë kthyer në Kiev. Ata duan të dalin në rrugë. Njerëzit e mirëpritën këtë", tha Trantin.

Drejtori i kopshtit zoologjik shpreson se lufta do të përfundojë së shpejti dhe paqja do të rivendoset në vendin e tij.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın