Bota

Kompania hetimore britanike kërkon arrestimin e zyrtarëve të lartë të Indisë për "krime lufte" në Kashmir

Shefi i ushtrisë së Indisë dhe ministri i Punëve të Brendshme "mund të jetë të rrezikuar për t’u arrestuar nga Njësia e Krime të Luftës së Policisë Metropolitane të Londrës" për krime të dyshuara të luftës në Xhamu Kashmir

Ahmet Gürhan Kartal   | 20.01.2022
Kompania hetimore britanike kërkon arrestimin e zyrtarëve të lartë të Indisë për "krime lufte" në Kashmir

Londër

Një kompani hetimore ligjore me bazë në Mbretërinë e Bashkuar ka paraqitur një kërkesë duke i bërë thirrje policisë britanike të arrestojë zyrtarë të qeverisë indiane për "krime lufte" në rajonin Xhamu Kashmir të administruar nga India, raporton Anadolu Agency (AA).

"Një apel ligjor për arrestimin e dy zyrtarëve të qeverisë indiane sipas parimit të Juridiksionit Universal është bërë në Policinë Metropolitane të Londrës, pas publikimit të një raporti që akuzon individët për krime lufte kundër muslimanëve të Kashmirit", tha në një njoftim kompania ligjore ‘Stoke White’.

Kompania britanike tha se shefi i ushtrisë së Indisë, gjenerali Mukund Naravane dhe ministri i Punëve të Brendshme, Amit Shah, "mund të jetë të rrezikuar për t’u arrestuar nga Njësia e Krime të Luftës së Policisë Metropolitane të Londrës" për krime të dyshuara të luftës në Xhamu Kashmir.

Raporti i kompanisë për krimet e dyshuara të luftës në rajonin e diskutueshëm të Himalajeve sugjeron se "forcat indiane të sigurisë, të kryesuara nga Naravane dhe Shah, janë përgjegjës për torturë, rrëmbim dhe vrasje pa gjykim të aktivistëve, gazetarëve dhe civilëve të pafajshëm, veçanërisht duke shënjestruar muslimanët".

"Ky raport u dedikohet familjeve që kanë humbur të dashurit pa asnjë gjurmë dhe që përjetojnë kërcënime të përditshme kur përpiqen të arrijnë drejtësinë", tha Khalil Dewan, autor i raportit dhe shef i hetimeve pranë kompanisë ‘Stoke White’.

Drejtori i kompanisë ligjore ‘Stoke White’, Hakan Camuz, tha se "fakti që muslimanët e Kashmirit duhet t’i drejtohen vetëm ligjit ndërkombëtar pas dekadash kërkimi të drejtësisë në vendin e tyre dhe vetëm duke iu nënshtruar dhunës së mëtejshme për këtë, do të thotë se ‘Stoke White’ duhet të fillojë procesin e drejtësisë në emër të tyre, në një vend që ne e njohim se respekton sundimin e ligjit".

Camuz tha se aplikimi në njësinë e krimeve të luftës të Policisë Metropolitane të Mbretërisë së Bashkuar është një "pikë nisje për të hetuar ministrat e qeverisë së kryeministrit Narendra Modi për krime lufte".

Duke folur për AA, Camuz tha se, "Ky është veprimi i parë ligjor kundër kryeministrit Modi dhe zyrtarëve të qeverisë së tij dhe zyrtarëve ushtarakë për krimet e luftës të kryera në Kashmir. Hetimi ynë akoma është në vazhdim dhe më shumë informacione po vijnë nga mizoritë që po ndodhin në të. Ne do të ndjekim drejtësinë për viktimat".

Autoritetet indiane akoma nuk kanë komentuar këtë çështje për AA.

- Rajoni i diskutueshëm

Kashmiri, një rajon i Himalajeve me shumicë muslimane, administrohet në pjesë nga India dhe Pakistani, por pretendohet plotësisht nga të dy vendet. Po ashtu një pjesë e vogël e Kashmirit administrohet nga Kina.

Që kur u ndanë në vitin 1947, India dhe Pakistani kanë luftuar tre luftëra, në vitet 1948, 1965 dhe 1971, dy prej të cilave mbi Kashmirin.

Trupat indiane dhe pakistaneze që nga viti 1984 po ashtu kanë luftuar me ndërprerje në rajonin verior Siachen. Një armëpushim hyri në fuqi në vitin 2003.

Disa grupe në Xhamu Kashmir kanë luftuar për pavarësi kundër sundimit indian ose për t’u bashkuar me Pakistanin fqinj.

Sipas disa organizatave të të drejtave të njeriut, në konfliktin që nga viti 1989 mijëra persona janë vrarë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın