Bota

Komisioni Evropian premton paketë prej 1 miliard eurosh për Afganistanin

Gjatë takimit të jashtëzakonshëm të liderëve të G20-tës mbi Afganistanin, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen njoftoi një paketë mbështetëse prej 1 miliard eurosh për Afganistanin dhe vendet fqinje

Ekip   | 12.10.2021
Komisioni Evropian premton paketë prej 1 miliard eurosh për Afganistanin

Bruksel

Komisioni Evropian premtoi një ndihmë prej 1 miliard eurosh për Afganistanin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë takimit të jashtëzakonshëm të liderëve të G20-tës mbi Afganistanin, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen njoftoi një paketë mbështetëse prej 1 miliard eurosh për Afganistanin dhe vendet fqinje, tha organi ekzekutiv i BE-së në një deklaratë.

"Situata socio-ekonomike në Afganistan po përkeqësohet, duke vënë qindra mijëra afganë në rrezik me afrimin e dimrit", ka thënë von der Leyen.

"Vetëm asistenca humanitare nuk do të jetë e mjaftueshme për të shmangur urinë dhe një krizë të madhe humanitare", shtoi ajo, duke shpjeguar se blloku duhet të veprojë shpejt.

Paketa e mbështetjes përfshin ndihmën humanitare të premtuar më parë prej 300 milionë eurosh me mbështetjen e synuar për nevojat themelore të popullit afgan dhe vendeve fqinje.

Financimi do të shkojë drejtpërdrejt në organizatat ndërkombëtare në terren për të ndihmuar popullatën lokale në nevojë.

Në të njëjtën kohë, Komisioni Evropian ruan politikën e tij me pesë standarde si parakusht për t'u angazhuar me qeverinë talebane.

Këto kushte kërkojnë luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, respektimin e të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtat e grave, krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese, qasje të lirë për ndihma humanitare dhe mundësimin e largimit të lirë për qytetarët e huaj dhe afganët në rrezik.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın