Bota

Kinë, rritet në 51 numri i të vdekurve nga përmbytjet

Një tajfun i ri pritet në Kinë dhe Tajvan, i cili pritet të shkaktojë shira të mëdha gjatë fundjavës

Saadet Firdevs Aparı  | 23.07.2021 - Përdıtësım : 23.07.2021
Kinë, rritet në 51 numri i të vdekurve nga përmbytjet

Ankara

Numri i të vdekurve për shkak të përmbytjeve të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm në qytetin Zhingzhou të provincës kineze Henan është rritur në 51, njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mediat thanë se shifrat vlejnë vetëm për qytetin Zhingzhou dhe se lumenjtë kanë vërshuar edhe në pjesë të tjera të provincës.

Siç raportohet, dëmet materiale në Zhingzhou si pasojë e përmbytjeve vlerësohet të kenë arritur në 10 miliardë dollarë.

Ndërkaq, rreth 400 mijë njerëz në rajon janë evakuuar.

Ndryshe, shiu i rrëmbyeshëm në Henan filloi më 17 korrik me intervale të caktuara, duke shkaktuar përfundimisht përmbytje më 20 korrik.

Përmbytjet kapluan rrjetin e metrosë në Zhingzhou, duke bllokuar një numër të madh njerëzish.

- Kina përgatitet për tajfun të ri

Nga ana tjetër, një tajfun i ri pritet në Kinë dhe Tajvan, i cili pritet të shkaktojë shira të mëdha gjatë fundjavës.

Zyrtarët meteorologjikë thanë se tajfuni In-fa po shkon drejt Kinës dhe pritet të arrijë në tokë nga provinca Zhejiang.

Byroja e menaxhimit të emergjencave të Zhejiang njoftoi se alarmi i rrezikut është ngritur në nivelin e dytë më të lartë dhe kërkohet që të gjithë në rajon të marrin masa parandaluese.

Apele të ngjashme u bënë për popullatën në provincën Fujian në juglindje të vendit.

Në rrjedhën e tij aktuale, tajfuni pritet të kalojë përmes Tajvanit verior dhe të sjellë reshje të mëdha shiu në ishull.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın