Bota

Kancelari gjerman paralajmëron Izraelin kundër aneksimit të Bregut Perëndimor

"Duhet ta mbajmë hapur rrugën drejt shtetësisë palestineze. Prandaj, nuk duhet të ketë hapa aneksimi në Bregun Perëndimor," tha Merz në qytetin jordanez Aqaba, ku u takua me mbretin jordanez, Abdullah II

Oliver Towfigh Nia  | 07.12.2025 - Përdıtësım : 07.12.2025
Kancelari gjerman paralajmëron Izraelin kundër aneksimit të Bregut Perëndimor Foto: AA/Arkiv

Berlin

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka paralajmëruar Izraelin kundër aneksimit të Bregut Perëndimor, transmeton Anadolu.

Situata në Bregun Perëndimor nuk duhet të humbur nga vëmendja.

"Duhet ta mbajmë hapur rrugën drejt shtetësisë palestineze. Prandaj, nuk duhet të ketë hapa aneksimi në Bregun Perëndimor," tha Merz në qytetin jordanez Aqaba, ku u takua me mbretin jordanez, Abdullah II.

Anëtarët ultra të djathtë të qeverisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, kanë mbështetur prej kohësh aneksimin e Bregut Perëndimor, të cilin palestinezët e pretendojnë si pjesë të një shteti të pavarur në të ardhmen.

"Duam të ndihmojmë në hedhjen e themeleve për një rend të ri në të gjithë Lindjen e Mesme. Duhet të jetë një rend në të cilin izraelitët, palestinezët dhe fqinjët arabë mund të jetojnë në paqe, liri dhe siguri të qëndrueshme”, tha ai.

Merz përsëriti se Gjermania mbështet një zgjidhje me dy shtete dhe tha se negociatat për paqe duhet të fillojnë së shpejti.

Ndërkohë, kancelari gjerman bëri thirrje për përparim në procesin e paqes për Gazën.

“Ndajmë lehtësimin që armëpushimi në Gaza është stabilizuar prej dy muajsh. Por tani duhet të kemi sukses edhe në hyrjen në fazën e dytë”, tha Merz.

Ai theksoi se kjo përfshin edhe përmirësimin e shpejtë dhe të dukshëm të situatës ende të pasigurt humanitare të popullsisë civile në Gaza, duke theksuar se “nevojitet më shumë ndihmë humanitare para dimrit”.

Kancelari gjerman u ndal fillimisht në qytetin jordanez Aqaba në Detin e Kuq pasdite dhe më pas fluturoi për në Izrael. Një takim me presidentin izraelit, Isaac Herzog, u zhvillua në mbrëmje në Kuds. Merz planifikon të takohet edhe me kryeministrin Netanyahu sot.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.