Kanadaja dhe BE-ja riafirmojnë bashkëpunimin për Ukrainën, Gazën dhe në fushën e mbrojtjes
Kanadaja dhe BE-ja riafirmuan angazhimin për thellimin e bashkëpunimit në mbrojtje, tregti dhe politikën e jashtme dhe përsëritën mbështetjen për Ukrainën dhe përpjekjet drejt paqes në Gaza
Bruksel
Kanadaja dhe Bashkimi Evropian të mërkurën riafirmuan angazhimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit në mbrojtje, tregti dhe politikën e jashtme dhe përsëritën mbështetjen për Ukrainën dhe përpjekjet drejt paqes në Gaza, sipas një deklarate të përbashkët, transmeton Anadolu.
Ministrja e Jashtme kanadeze Anita Anand dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së Kaja Kallas, bashkëkryesuan takimin e katërt të Komitetit të Përbashkët Ministror (JMC) Kanada-BE të mbajtur të martën në Niagara, njofton deklarata.
Të dyja palët përshëndetën përparimet në kuadër të Partneritetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kanada-BE të nënshkruar së fundmi dhe Partneritetit Strategjik të së Ardhmes, duke e përshkruar bashkëpunimin e tyre si "gurthemel të stabilitetit, qëndrueshmërisë dhe prosperitetit përtej Atlantikut".
Duke riafirmuar mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, BE-ja dhe Kanadaja i kërkuan Rusisë të ndalojë luftën e saj të agresionit dhe të përmbushë të drejtën ndërkombëtare humanitare.
"Nuk ka rrugë drejt paqes pa Ukrainën", thuhet në deklaratën ku vihet në dukje nevoja për paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme bazuar në Kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare. Ata u zotuan të vazhdojnë të zbatojnë sanksionet kundër Rusisë dhe atyre që mundësojnë luftën si dhe të ofrojnë ndihmë të qëndrueshme financiare dhe ushtarake për Kievin.
BE-ja dhe Kanadaja mirëpritën fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit, duke përgëzuar përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga SHBA-ja dhe ndërmjetësit rajonalë si dhe lirimin e pengjeve.
Duke i nxitur të gjitha palët të zbatojnë plotësisht marrëveshjen, ata theksuan rëndësinë e qasjes humanitare "të menjëhershme dhe të papenguar" në Gaza dhe përsëritën mbështetjen për përpjekjet reformuese të Autoritetit Palestinez dhe kthimin e tij në qeverisjen e Gazës.
Takimi theksoi bashkëpunimin në rritje në sektorët e mbrojtjes, energjisë dhe atij dixhital. Të dy palët ranë dakord të ndjekin një Marrëveshje Tregtare Dixhitale që plotëson Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse Ekonomike dhe Tregtare Kanada-BE (CETA) dhe të thellojnë bashkëpunimin në energjinë e pastër, lëndët e para dhe zinxhirët e furnizimit industrial.
Ata thanë se do të forcojnë bashkëpunimin në sigurinë detare, mbrojtjen kibernetike dhe kundërshtimin e kërcënimeve hibride "në komplementaritet me NATO-n". Deklarata e përbashkët përfundoi me të dyja palët që shprehën vendosmërinë për të "forcuar më tej partneritetin e tyre të fortë dhe të qëndrueshëm".
