Bota

Jordani, protesta kundër planit të Trumpit dhe importit të gazit izraelit

Me mbështetje të figurave politike, sot në Amman u protesua kundër të ashtuquajturit plan i paqes të presidentit amerikan Donald Trump dhe importit të gazit izraelit

Laıth Al-jnaıdı,Safiye Karabacak   | 14.02.2020
Jordani, protesta kundër planit të Trumpit dhe importit të gazit izraelit ( Laıth Al-jnaıdı - Anadolu Agency )

Aman

Sot në Jordani u mbajtën protesta kundër të ashtuquajturit plan i paqes të presidentit amerikan Donald Trump dhe importit të gazit nga fushat izraelite të gazit natyror në Mesdhe, raporton Anadolu Agency (AA).

Qindra persona morën pjesë në marshin që filloi para Xhamisë Al-Husseini në kryeqytetin Aman pas thirrjes së "Aleancës Kombëtare Kundër Marrëveshjes së Shekullit".

Protesta u mbështet nga shumë liderë të partive politike dhe deputetë, përfshirë sekretarin e përgjithshëm të Partisë Fronti Islam i Veprimit, Murad al-Adaileh, krahut politik të Vëllazërisë Muslimane, dhe deputetin Saud Abu Mahfuz.

Në një prononcim për AA, Adaileh tha se aktivitetet kundër të ashtuquajturit plan i paqes dhe marrëveshjes për importin e gazit izraelit do të vazhdojnë.

"Kjo marrëveshje, e cila synon t'ia dhurojë Palestinën hebrenjve, është kërcënim edhe për shtetin dhe popullin e Jordanisë", theksoi ai.

"Marrëveshja e Shekullit"

Më 28 janar në Washington, pa përfaqësim të autoriteteve palestineze, presidenti Trump shpalosi planin prej 80 faqesh së bashku me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili, ndër të tjera, parasheh që Kudsi të mbetet kryeqytet "i pandarë" i Izraelit.

Sipas planit, i quajtur nga Trump si "Marrëveshja e Shekullit", SHBA po ashtu njeh vendbanimet ilegale hebreje në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa refugjatëve palestinezë u mohohet e drejta e kthimit në vendlindjet e tyre.

Gjatë shpalosjes së planit, Trump pohoi se ky është "shansi i fundit" për palestinezët për të pasur një shtet të pavarur.

Marrëveshja Jordani-Izrael për importin e gazit natyror

Në shtator të vitit 2016, qeveria jordaneze firmosi një marrëveshje për blerjen e gazit natyror nga Izraeli në sasi prej 45 miliardë metrash kub për një periudhë 15-vjeçare, duke shkaktuar reagim te popullata dhe anëtarët e parlamentit.

Jordania filloi vendosjen e tubacioneve në vitin 2018, ndërsa nga 1 janari i këtij viti u njoftua fillimi i transferimit të gazit.

Supozohet se Izraeli ka rezerva të gazit natyror në sasi prej 800 miliardë metrash kub në fushat e naftës Leviathan dhe Tamar në Mesdhe.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın