Bota

Jep dorëheqje Kryepeshkopi i Parisit, i cili kishte një marrëdhënie "të dyshimtë"

Kryepeshkopi i Parisit tha se Papa Françesku ia ka pranuar dorëheqjen pasi pranoi se kishte një marrëdhënie "të dyshimtë" me një grua në vitin 2012

Ekip   | 02.12.2021
Jep dorëheqje Kryepeshkopi i Parisit, i cili kishte një marrëdhënie "të dyshimtë"

Paris

Papa Françesku pranoi dorëheqjen e kryepeshkopit të Parisit pasi ai pranoi se kishte marrëdhënie “të dyshimtë” me një grua në vitin 2012, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryepeshkopi Michel Aupetit sot në një deklaratë tha se ai kërkoi të largohej "për të ruajtur dioqezën nga ndarja e cila vazhdon të provokohet nga dyshimet dhe humbja e besimit".

Vatikani në një deklaratë tha se Papa pranoi kërkesën e Aupetit dhe në vend të tij emëroi Imzot George Pontier-in.

Aupetit, i cili kishte udhëhequr kishën e Parisit që nga viti 2018, i dërgoi një letër Françeskut duke i kërkuar dorëheqjen pas një raporti në revistën "Le Point", ku thuhej se kishte marrëdhënie intime me një grua. Aupetit tha për "Le Point" se nuk kishte marrëdhënie seksuale me gruan.

Artikulli në "Le Point" u mbështet në disa burime anonime të cilët thanë se kishin parë një e-mail të vitit 2012 të Aupetit dërguar gabimisht sekretarit të tij. Aupetit mohoi të ishte autori i e-mailit.

Klerikët e lartë katolikë zotohen për dëlirësinë. Në kohën e lidhjes së supozuar, Aupetit ishte prift në kryedioqezën e Parisit.

"Unë u kërkoj falje atyre që mund t'i kem lënduar dhe ju siguroj të gjithëve për miqësinë time të thellë dhe lutjet e mia", tha Aupetit në deklaratën e tij, duke shtuar se ishte "shumë i shqetësuar nga sulmet kundër tij".

Në një intervistë javën e kaluar për radion katolike Notre Dame, Aupetit tha: "E trajtova keq situatën me një person që ishte në kontakt shumë herë me mua".

Duke e quajtur atë një "gabim", ai tha se vendosi të mos e shihte më gruan pasi kishte folur me kardinalin André Vingt-Trois, kryepeshkopin e atëhershëm të Parisit, në vitin 2012.

Vetëm Papa mund të angazhojë ose pushojë peshkopët, ose të pranojë dorëheqjet e tyre. Në moshën 70-vjeçare, Aupetit është pesë vjet larg moshës të pensionit normal për peshkopët.

Papa ka refuzuar të pranojë kërkesa të ngjashme nga klerikët e tjerë të lartë të kapur në skandal.

Ish-kryepeshkopi i qytetit francez të Lionit, kardinali Philippe Barbarin, ofroi dorëheqjen në vitin 2019 pasi një gjykatë franceze e dënoi atë për mos raportimin e një prifti pedofil. Françesku fillimisht refuzoi ofertën e Barbarin, por më vonë e pranoi atë.

Kohët e fundit, kardinali gjerman Reinhard Marks, kryepeshkopi i Mynihut dhe Freising-ut, ofroi dorëheqjen për shkak të trajtimit "katastrofik" të Kishës Katolike me rastet e abuzimit seksual të klerit. Françesku refuzoi ta pranonte, ndërsa Marks mbetet në detyrë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın