Bota

Jemeni akuzon Emiratet për nxitjen e konfliktit në Shabwah

Forcat e mbështetura nga Emiratet e Bashkuara Arabe nisën sulmin në Ataq, kryeqytetin e provincës Shabwah, në përpjekje për të marrë kontrollin e qytetit nga forcat qeveritare

Mahmoud Barakat   | 23.08.2019
Jemeni akuzon Emiratet për nxitjen e konfliktit në Shabwah

Sana

Qeveria e Jemenit ka akuzuar Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) se kanë ndezur situatën ushtarake në provincën jugore të vendit Shabwah, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim të lëshuar dje nga agjencia shtetërore e lajmeve Saba, zëdhënësi qeveritar, Rajeh Badi, tha se komandoja ushtarake e EBA-s në Shabwah është përgjegjëse për tentimin e forcave separatiste për të sulmuar qytetin Ataq, që është kryeqyteti i provincës.

Mbrëmë forcat besnike të Këshillit Kalimtar Jugor (STC) që kanë mbështetjen e EBA-s u përplasën me forcat qeveritare në periferi të qytetit Ataq, gjatë një tentimi për të marrë nën kontroll qytetin.

Badi tha se sulmi i mbështetur nga EBA në Ataq ndodhi krahas përpjekjeve të mëdha të Arabisë Saudite për t'i dhënë fund krizës dhe për të ndaluar përshkallëzimin ushtarak.

Ai theksoi vendosmërinë e qeverisë për të zmbrapsur me çdo kusht kryengritjen e udhëhequr nga i ashtuquajturi Këshilli Kalimtar.

Sipas burimeve lokale, akoma po vazhdojnë përleshjet sporadike.

Jemeni është përfshirë nga lufta civile që nga viti 2014, kur rebelët Huthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sanaa.

Konflikti u përshkallëzua edhe më tej kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj suni-arabë filluan një fushatë masive ajrore që synonte pengimin e avancimit të rebelëve Huthi duke mbështetur qeverinë pro-saudite të vendit.

Dhuna e vazhdueshme ka shkatërruar infrastrukturën themelore të Jemenit, duke bërë që OKB të përshkruajë situatën si "një nga katastrofat më të këqija humanitare të kohërave moderne".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın