Ekip
18 Shtator 2021•Përditësim: 20 Shtator 2021
Rebelët Houthi në Jemen ekzekutuan nëntë jemenas të akuzuar nga grupi për vrasjen e ish-udhëheqësit të tyre Saleh al-Samad, transmeton Anadolu Agency (AA).
Agjencia e lajmeve Saba e drejtuar nga lëvizja rebele tha se ekzekutimet u kryen nga skuadra e pushkatimit në kryeqytetin Sana dhe u dëshmuan nga “masat”, duke përfshirë të afërmit e al-Samad-it dhe udhëheqësit Houthi.
Al-Samad, ish-udhëheqësi i Këshillit të Lartë Politik të grupit, u vra më 19 prill 2018 në një sulm ajror të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite në qytetin limanor Hudaydah.
Rebelët Houthi akuzuan nëntë personat për spiunazh dhe ndarjen e informacionit të ndjeshëm me koalicionin e udhëhequr nga Arabia Saudite që çoi në vrasjen e al-Samad-it.
Ekzekutimet u kryen pavarësisht apelit të qeverisë jemenase për ndërhyrje ndërkombëtare për të ndaluar vrasjen.
Në një deklaratë më herët, ministri i Informacionit i Jemenit, Muammar Al-Eryani, i quajti ekzekutimet si “një vrasje e plotë me paramendim që nuk ndryshojnë nga ekzekutimet në terren të kryera nga organizatat terroriste (DEASH dhe al-Kaeda) në zonat e tyre të kontrollit”.
Jemeni është shkatërruar nga dhuna dhe paqëndrueshmëria që nga viti 2014, kur rebelët Houthi të lidhur me Iranin pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.
Një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite që synonte rivendosjen e qeverisë së Jemenit e përkeqësoi situatën, duke shkaktuar një nga krizat më të këqija humanitare në botë, pasi 30 milionë njerëz që përbëjnë 80 për qind të popullsisë që kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje humanitare.