Jemen, rebelët Houthi dakord për tërheqjen nga Al-Hudaidah
Një anëtar i lëvizjes Houthi në negociatat për paqe në Suedi, Jamal Amir, për AA tha se kjo lëvizje është pajtuar me kërkesën që të tërheq ushtarët e saj nga Al-Hudaidah

Yemen
ADEN (AA) – Lëvizja rebele Houthi është dakorduar që të tërhiqet nga Al-Hudaidah, qytet port jemenas në bregun e Detit të Kuq i cili gjatë disa javëve të fundit ishte bastion i përleshjeve të ashpra dhe krizës së madhe humanitare, raporton Anadolu Agency (AA).
Një anëtar i lëvizjes Houthi në negociatat për paqe në Suedi, Jamal Amir, për AA tha se kjo lëvizje është pajtuar me kërkesën që të tërheq ushtarët e saj nga Al-Hudaide.
“Miratuam planin që nën mbikëqyrje të Kombeve të Bashkuara nga Al-Hudaidah të tërhiqen të gjitha palët e armatosura dhe në qytet të shpallet armëpushim," tha Amir.
I njëjti burim tha se rebelët ranë dakord që kontrollin e porteve në Jemen, duke përfshirë ato në Al-Hudaidah, të marrin forcat e Kombeve të Bashkuara.
Amir po ashtu tha se në takimin e radhës do të bisedohet për planin e dhënies fund të shtetrrethimit të qytetit Taiz. Ai shtoi se rebelët Houthi tashmë kanë rënë dakord me këtë marrëveshje, por se ishte refuzuar nga "delegacioni i Rijadit", siç quhet delegacioni qeveritar i Jemenit.
Delegacioni i OKB-së, si moderator i bisedimeve të paqes në Suedi, ofroi një projekt zgjidhje për pesë probleme të mëdha në Jemen, duke përfshirë përfundimin e konfliktit në Taiz dhe Al-Hudeidi dhe punën e Bankës Qendrore.
Jamal Amir për AA tha se delegacioni qeveritar i Jemenit hodhi poshtë të gjitha propozimet e OKB-së të ofruara nga i dërguari i posaçëm për Jemenin, Martin Griffiths.
Ai i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të ushtrojë presion shtesë ndaj qeverisë së Jemenit për t'i dhënë fund luftës në këtë vend.
Dje, delegacionet këmbyen listat me 16.000 të burgosur të cilët duhet të lirohen me shkëmbimet e mbikëqyrura nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar në gjysmën e dytë të janarit.
Jemeni gjendet në një krize të thellë politike dhe të sigurisë që u përshkallëzua në një luftë civile në fund të vitit 2014. Bisedimet aktuale të paqes në Suedi filluan më 6 dhjetor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.