Bota

Japonia: Koreja e Veriut mund të lëshojë raketë balistike ndërkontinentale

Ministri japonez i Mbrojtjes, Nobuo Kishi, tha se Koreja e Veriut mund të lëshojë një raketë balistike ndërkontinentale (ICBM) në ditët që do të përkojnë me vizitën e presidentit të SHBA-së në Azi

Ahmet Furkan Mercan  | 20.05.2022 - Përdıtësım : 20.05.2022
Japonia: Koreja e Veriut mund të lëshojë raketë balistike ndërkontinentale

Tokio

Qeveria japoneze ka pretenduar se Koreja e Veriut mund të testojë një raketë balistike ndërkontinentale gjatë vizitës së presidentit amerikan Joe Biden në Tokio dhe Seul, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri japonez i Mbrojtjes, Nobuo Kishi, në një konferencë për shtyp tha se Koreja e Veriut mund të lëshojë një raketë balistike ndërkontinentale (ICBM) në ditët që do të përkojnë me vizitën e presidentit të SHBA-së në Azi.

Duke kujtuar se Koreja e Veriut ka kryer teste raketore 15 herë që nga fillimi i vitit, Kishi tha: "Nëse Pheniani përfundon përgatitjet e tij, ai mund të rrisë aktivitetet e provokuese, duke përfshirë mundësinë e testeve të raketave me rreze të gjatë".

Duke theksuar se administrata e Phenianit synon të "vazhdojë programin e saj të zhvillimit të armëve", Kishi deklaroi se vendi i tij do të kryejë aktivitetet e tij në rajon, përfshirë provat e mundshme, në bashkëpunim me SHBA-në.

Agjencia Kyodo njoftoi se Koreja e Veriut muajin e kaluar provoi ICBM për herë të parë që nga nëntori 2017.

- Vizita e Biden-it në Azi

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, më herët ka thënë se Koreja e Veriut mund të kryejë teste raketash balistike dhe bërthamore me rreze të gjatë gjatë vizitës së Biden-it në Azi.

Biden pritet të vizitojë Korenë e Jugut dhe Japoninë më 20-25 maj dhe të marrë pjesë në Quad Leader Summit që do të mbahet në Tokio më 24 maj.

- "Harku i demokracisë"

I njohur si Dialogu i Katërfishtë i Sigurisë (QSD) ose "Quad", forumi i dialogut i nisur në vitin 2007 midis SHBA-së, Australisë, Indisë dhe Japonisë u shndërrua në një "aleancë katërkëndëshe" në vitin 2017.

E quajtur joformalisht edhe si forum strategjik kundër Kinës dhe e përshkruar si "harku i demokracisë në Azi", aleanca zhvillon, pjesërisht, takime të rregullta dhe shkëmben informacione.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.