Bota

Izraeli paralajmëron opsionin ushtarak si mundësi për të bllokuar Iranin të pajiset me armë bërthamore

Pas një pauze pesë mujore, Irani dhe fuqitë botërore dje rifilluan bisedimet në Vjenë në përpjekje të fundit për t'iu rikthyer Marrëveshjen Bërthamore të vitit 2015

Ekip   | 30.11.2021
Izraeli paralajmëron opsionin ushtarak si mundësi për të bllokuar Iranin të pajiset me armë bërthamore

Ankara

Izraeli kërcënoi se do të përdorte opsionin ushtarak për të parandaluar Iranin për t'u pajisur me armë bërthamore, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Duhet të dihet qartë se në tryezë është edhe opsioni ushtarak”, tha ministri izraelit i Sigurisë së Brendshme, Omer Bar-Lev, për një radio lokale në Tel Aviv.

Pas një pauze pesë mujore, Irani dhe fuqitë botërore dje rifilluan bisedimet në Vjenë në përpjekje të fundit për t'iu rikthyer Marrëveshjen Bërthamore të vitit 2015.

Izraeli kundërshtoi kthimin e SHBA-së në Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA), ndryshe i njohur si Marrëveshja Bërthamore, e nënshkruar në vitin 2015 nga Irani, SHBA, Kina, Rusia, Franca, Britania e Madhe, Gjermania dhe BE-ja.

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tërhoqi në mënyrë të njëanshme Washington-in nga marrëveshja në vitin 2018 duke rivendosur sanksionet me synimin që ta kthente Iranin në negociata, për çka Trump shpresonte se do të arrinte një marrëveshje "më të mirë".

"Ne të gjithë e dimë se që nga tërheqja e SHBA-së nga marrëveshja, Irani ka avancuar ndjeshëm dhe seriozisht aftësinë për të prodhuar një bombë bërthamore", tha Bar-Lev.

Ai tha se Izraeli kërkon kthim në "një marrëveshje më të fuqishme dhe më afatgjatë", duke vënë në dukje se rivendosja e sanksioneve të SHBA-së nuk ndikoi te Irani.

Zëdhënësi i Ushtrisë Izraelite, Ran Kochav, tha sot se ushtria po përshpejtonte ritmin për të parandaluar që Irani të shndërrohej në një vend "bërthamor".

“Unë nuk ndërhyj në çështjet politike, por siç e thamë edhe më parë, ne po përgatitemi për të gjitha mundësitë”, tha ai.

Kryeministri izraelit, Naftali Bennett, dje i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mos bëjë lëshime ndaj Iranit në negociatat e Vjenës.

“Irani shkon në tryezën e bisedimeve në Vjenë me një qëllim të qartë: T’u japë fund sanksioneve të vendosura ndaj tij në këmbim të asaj që s'ka bërë pothuajse asgjë”, tha Bennett.

Raundi i ri i negociatave ka filluar mes Teheranit dhe grupit 4+1: Gjermanisë, Francës, Britanisë, Rusisë dhe Kinës.

Diplomatëve amerikanë po u komunikohen mesazhet pasi pala iraniane refuzoi përsëri të zhvillonte bisedime të drejtpërdrejta, pasi Washington-i zyrtar nuk është më palë në Marrëveshjen Bërthamore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın