Lina Altawell
04 gusht 2026•Përditësim: 04 gusht 2026
Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich njoftoi sot ndarjen e 37 milionë dollarëve për zhvillimin e vendeve të supozuara të trashëgimisë hebraike në Bregun Perëndimor, në mes të intensifikimit të zgjerimit të paligjshëm të vendbanimeve në territorin e pushtuar, transmeton Anadolu.
“Për herë të parë në histori, 113 milionë shekelë (37 milionë dollarë) do të ndahen për të zhvilluar më shumë se 70 vende të trashëgimisë në Jude dhe Samari”, tha Smotrich në kompaninë amerikane të mediave sociale X, duke përdorur termin biblik të Izraelit për Bregun Perëndimor.
Smotrich, udhëheqësi i partisë së ekstremit të djathtë "Sionizmi Fetar", nuk i identifikoi vendet në fjalë.
Në maj, Parlamenti izraelit (Knesset) miratoi leximin e parë të një projektligji për krijimin e të ashtuquajturit "Autoriteti i Trashëgimisë së Judesë dhe Samarisë", i cili do të vendoste vendet romake, bizantine dhe të epokës kryqtare nën autoritetin e Ministrisë së Trashëgimisë së Izraelit.
Projektligji lejon gjithashtu konfiskimin dhe blerjen e pasurive të paluajtshme që lidhen me objekte të tilla, duke bërë që Autoriteti Palestinez të paralajmërojë se masa synon të zgjerojë kontrollin izraelit dhe të thellojë aktivitetin e paligjshëm të vendbanimeve në territorin e pushtuar palestinez.
Sipas Smotrich, 104 vendbanime të paligjshme dhe 160 poste janë miratuar në Bregun Perëndimor që kur qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu mori detyrën në fund të vitit 2022. Sipas shifrave palestineze, rreth 750 mijë pushtues jetojnë në 156 vendbanime të paligjshme dhe 360 pika qendrash vendbanimesh në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor të pushtuar.
Rezoluta 2334 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e miratuar në vitin 2016, thekson se vendbanimet izraelite në territorin palestinez të pushtuar që nga viti 1967, përfshirë Kudsin Lindor, nuk kanë "nuk kanë vlefshmëri ligjore" dhe përbëjnë një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare.
Në një opinion këshillues historik në korrik 2024, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.