Bota, Shëndetësi

Italia në muajin maj do të jetë nikoqire e Samitit Global të Shëndetësisë

Kryeministri italian, Mario Draghi, tha se gjatë samitit do të diskutohen mënyrat për të përmirësuar sistemet e kujdesit shëndetësor dhe për të luftuar krizat e ardhshme me një frymë solidariteti

Barış Seçkin   | 08.04.2021
Italia në muajin maj do të jetë nikoqire e Samitit Global të Shëndetësisë

Romë

Italia do të jetë vendi pritës i Samitit Global të Shëndetësisë të këtij viti, i caktuar të mbahet më 21 maj, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kryeministria e Italisë në një deklaratë njoftoi se samiti do të mbahet bashkërisht nga Komisioni Evropian dhe Presidenca e Mandatit të G20, Italia. Sipas deklaratës, samiti do të jetë një mundësi për të ndarë mësimet e marra nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19), si dhe për të përmirësuar Deklaratën e Romës.

Parimet e deklaratës mund të jenë një udhëzues i fortë për bashkëpunimin shumëpalësh për të parandaluar krizat shëndetësore në të ardhmen dhe për të ndërtuar një botë më të shëndetshme, më të sigurt, më të drejtë dhe më të qëndrueshme.

Kryeministri italian, Mario Draghi, tha se gjatë samitit do të diskutohen mënyrat për të përmirësuar sistemet e kujdesit shëndetësor dhe për të luftuar krizat e ardhshme me një frymë solidariteti.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se njerëzimi duhet të jetë më i përgatitur për të mbrojtur veten nga epidemitë e ardhshme.

Ajo shtoi se është e rëndësishme të mësohen mësime dhe të punohet më shumë bashkërisht për të përmirësuar sigurinë globale të shëndetit.

Deklarata e Kryeministrisë së Italisë po ashtu tha se samiti do të përqendrohet në punën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe rregulloreve ndërkombëtare të shëndetit, me një angazhim prej rreth 16 miliardë euro të mbledhura vitin e kaluar për përgjigjen globale ndaj koronavirusit, të grumbulluara nga donatorë nga e gjithë bota për qasje në trajtimin e koronavirusit, testet dhe vaksinat për të gjithë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.