Bota, Koronavirusi

Italia konfirmon 610 viktima të reja nga COVID-19, vazhdon trendi i stabilizimit

Ekspertët konfirmuan një trend të stabilizimit gjatë javëve të fundit, duke i mbështetur shpresat e qeverisë për arritjen e kulmit

Barış Seçkin   | 09.04.2020
Italia konfirmon 610 viktima të reja nga COVID-19, vazhdon trendi i stabilizimit

Romë

Italia sot konfirmoi 610 vdekje të tjera nga koronavirus i ri (COVID-19), duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 18.279, shifra më e lartë në mbarë globin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ekspertët konfirmuan një trend të stabilizimit gjatë javëve të fundit, duke i mbështetur shpresat e qeverisë për arritjen e kulmit.

Ndërkaq, numri i rasteve aktive me COVID-19 u rrit me 1,7 përqind nga dita e djeshme për të shkuar në 96.877, ndërsa një ditë më parë kjo rritje ishte 1,3 për qind.

Numri i personave të shëruar ka vazhduar të rritet, duke arritur në 28.470, kurse ai i pacientëve nën kujdes intensiv ka rënë për të gjashtën ditë radhazi, për 88.

Epiqendra e pandemisë në Itali mbetet rajoni verior i Lombardisë, i cili tani numëron mbi 10 mijë viktima.

Në betejën e saj të vazhdueshme për të frenuar sëmundjen, qeveria italiane ka vazhduar bllokimin gati total, i cili ndalon shumicën e prodhimit dhe veprimtarive të biznesit në Itali, të paktën deri më 13 prill.

Në ndërkohë, janë rritur presionet që qeveria të fillojë të heqë disa nga masat e rrepta të bllokimit, të paktën për bizneset kryesore, përpara të ashtuquajturës "faza-2" e pandemisë.

Megjithatë, qeveria vazhdon të bëjë paralajmërime, duke u kërkuar njerëzve që të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin aktivitetet në natyrë, veçanërisht gjatë festës së Pashkëve.

Sipas raportimeve në mediat italiane, kabineti qeveritar do të jetë i gatshëm të nxjerrë një dekret të ri emergjence, duke e zgjatur bllokimin deri në muajin maj. Dekreti gjithashtu pritet të heqë gradualisht disa kufizime të aplikuara aktualisht për bizneset jothelbësore për të parandaluar një recesion ekonomik.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın