Bota, Koronavirusi

Itali, rritet në 8.165 numri i të vdekurve nga koronavirusi

Italia vazhdon të jetë vendi me numrin më të madh të vdekjeve, me gjithsej 8.165 viktima

Barış Seçkin   | 26.03.2020
Itali, rritet në 8.165 numri i të vdekurve nga koronavirusi

Romë

Italia sot konfirmoi 662 vdekje të reja nga koronavirusi i ri (COVID-19), me çka numri i përgjithshëm i viktimave në vend ka shkuar në 8.165, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas shifrave të fundit të siguruara nga Departamenti i Mbrojtjes Civile, numri i përgjithshëm i rasteve në vend vazhdon të rritet, ndërsa shkalla e vdekjes ditore u regjistrua më e ulët se një ditë më parë.

Numri i rasteve të konfirmuara u rrit me 8 për qind nga e mërkura, për të arritur në 62.013, ndërsa numri i përgjithshëm i pacientëve të shëruar ka shkuar në 10.361.

Epiqendra e shpërthimit në Itali mbetet rajoni verior i Lombardisë, në të cilin janë regjistruar 4.861 viktima.

Guvernatori i Lombardisë, Attilio Fontana, tha se ndihet i shqetësuar nga fakti se rastet e infektimeve në rajon vazhdojnë të rriten.

"Jam i shqetësuar. Mbase po na mungon diçka", tha ai.

Ndërkohë, kryeministri italian Giuseppe Conte iu drejtua Senatit sot në mëngjes, pas kritikave të ashpra për masat e qeverisë për të frenuar përhapjen e virusit.

Conte tha se Evropa përballet me rrezikun e një "recesioni të vështirë dhe të ashpër" pas pandemisë së koronavirusit dhe masa të reja të jashtëzakonshme janë të nevojshme për ta shmangur atë.

Ai premtoi se një paketë e re ekonomike do të miratohet në prill, me vlerë prej më shumë se 25 miliardë eurosh, pas asaj të miratuar tashmë në mars me të njëjtën vlerë.

Virusi, i cili për herë të parë u shfaq në qytetin Wuhan në Kinë, deri më tani është përhapur në afër 200 vende dhe rajone në mbarë botën.

Deri më tani, në mbarë botën jetën kanë humbur 22.900 njerëz, ndërsa Italia vazhdon të jetë vendi me numrin më të madh të viktimave.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen pandemi globale.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın