Bota

Itali, fillon takimi i ministrave të mjedisit të G20 në Napoli

"Fenomenet tragjike meteorologjike që kemi parë në ditët dhe muajt e fundit tregojnë për një problem serioz në sistemin tonë klimatik", tha ministri italian Cingolani

Barış Seçkin,Yasemin Kalyoncuoğlu   | 22.07.2021
Itali, fillon takimi i ministrave të mjedisit të G20 në Napoli

Romë

Në Napoli të Italisë ka filluar takimi i ministrave të mjedisit, klimës dhe energjisë të vendeve anëtare të G20, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrat e vendeve të G20 dhe përfaqësues të organizatave u mblodhën në Napoli për të biseduar dhe kërkuar zgjidhje për humbjen e biodiversitetit, ndotjes, degradimit të tokës, shkretëtirëzimit, përdorimit të paqëndrueshëm të ujit dhe burimeve të tjera natyrore.

Në ditën e parë të Takimit Ministror të mbajtur në Pallatin Mbretëror (Palazzo Reale), të ftuarit u mirëpritën nga ministri i Tranzicionit Mjedisor, Roberto Cingolani.

Cingolani mbajti fjalimin hyrës në kuadër të takimit dyditor. Me këtë rast, ai potencoi rëndësinë e rolit të mjedisit.

"Ky takim po mbahet në një kohë dhe kushte që kërkon veprim global me zemër, të përbashkët dhe urgjent", tha Cingolani.

Ai gjithashtu konsideron se është e pamundur të injorohen treguesit shkencorë të raportit mbi ndryshimet klimatike.

"Fenomenet tragjike meteorologjike që kemi parë në ditët dhe muajt e fundit tregojnë për një problem serioz në sistemin tonë klimatik", tha Cingolani.

Ai theksoi se kjo vlen edhe për ekosistemet dhe biodiversitetin.

Ministri italian shtoi se pandemia e koronavirusit kishte prekur gjithashtu komunitetet dhe ekonominë dhe se ishte e nevojshme për të luftuar së bashku kundër pasojave të pandemisë dhe sfidave të klimës.

Në takimin dyditor, pjesëmarrësit do të diskutojnë mbi aktivitetet ndërkombëtare dhe politikat e qëndrueshme mjedisore.

Pjesëmarrësit do të mblidhen nesër për të diskutuar luftën kundër ndryshimeve klimatike, zhvillimin e një vizioni të përbashkët sa i përket energjisë dhe forcimit të bashkëpunimit.

Në takim merr pjesë gjithashtu dhe delegacioni turk i udhëhequr nga ministri i Mjedisit dhe Urbanizmit i vendit, Murat Kurum.

Rreth 2.200 anëtarë të forcave të sigurisë janë vendosur në Napoli për shkak të takimit të G20. Protesta priten në disa lokacione gjatë ditës.

Mediat italiane raportuan se një grup aktivistësh bllokuan një kryqëzim në rrugën A3 në lindje të qytetit në mëngjes.

Protestuesit besojnë se vendet e G20 po sillen me hipokrizi dhe po mbrojnë interesat e kompanive shumëkombëshe.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın