Bota, Koronavirusi

Itali, 683 viktima të reja nga koronavirusi në 24 orët e fundit

Shifrat e fundit të siguruara nga Departamenti i Mbrojtjes Civile tregojnë se numri i përgjithshëm i rasteve në vend vazhdon të rritet, por me një ritëm më të ngadaltë për ditën e katërt me radhë

Barış Seçkin   | 25.03.2020
Itali, 683 viktima të reja nga koronavirusi në 24 orët e fundit

Romë

Italia sot konfirmoi 683 vdekje të reja nga koronavirusi i ri, me çka numri i përgjithshëm i viktimave në vend deri më tani ka shkuar në 7.503, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shifrat e fundit të siguruara nga Departamenti i Mbrojtjes Civile tregojnë se numri i përgjithshëm i rasteve në vend vazhdon të rritet, por me një ritëm më të ngadaltë për ditën e katërt me radhë.

Infektimet e konfirmuara u rritën me 6 për qind nga e marta, për të shkuar në 57.521, ndërsa numri i përgjithshëm i pacientëve të shëruar ka arritur në 9.362.

Epiqendra e shpërthimit në Itali mbetet rajoni verior i Lombardisë, në të cilin janë regjistruar 4.474 viktima.

Angelo Borrelli, kreu i Departamentit të Mbrojtjes Civile në Itali, është përfshirë nga ethet gjatë ditës së sotme dhe nuk mori pjesë në konferencën e përditshme për media për arsye parandaluese. Zyrtarët e departamentit thanë se Borrelli aktualisht po qëndron në shtëpi, ku ai vazhdon të punojë dhe të monitorojë situatën.

Derisa Italia po përballet me një javë të rëndësishme për të konfirmuar nëse është arritur përmbysje e trendit për sa u përket infeksioneve të reja të përditshme, qeveria vazhdon të luftojë për mënyrën e trajtimit të emergjencës.

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, iu drejtua parlamentit sot pasdite për t'iu përgjigjur kritikave në rritje për masat e qeverisë për të frenuar virusin.

"Ne po përballemi me një armik të padukshëm, i cili ka ndarë familjet dhe na detyron të kufizojmë lëvizjet tona", tha Conte.

"Kjo është një sfidë ekonomike, sanitare dhe sociale, dhe na përfshin të gjithë ne", shtoi ai.

Ai tha se vendimet e kabinetit do të kenë "pasoja të mëdha që do të ndikojnë" në të ardhmen e Italisë, duke mbrojtur shpejtësinë e reagimit të qeverisë ndaj pandemisë.

Ai pohoi se autoritetet filluan reagimin e tyre më 22 shkurt, një ditë pasi filloi epidemia dhe madje para se Organizata Botërore e Shëndetësisë ta shpallte koronavirusin e ri si një emergjencë globale.

Italia vazhdon ta ketë numrin më të madh të vdekjeve nga COVID-19 me 7.503 viktima, ndërsa pas saj radhiten Spanja me 3.434 viktima dhe Kina, vendi i orgijinës së virusit, me 3.281 vdekje deri më tani.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın