Bota

Irani: Të gatshëm të kontribuojmë në marrëveshjen për transportin e grurit përmes Detit të Zi

Abdollahian, thuhet në njoftim, përsëriti qëndrimin e vendit të tij kundër luftës në Ukrainë dhe domosdoshmërinë e shmangies së konflikteve ushtarake

Ahmet Dursun   | 01.07.2022
Irani: Të gatshëm të kontribuojmë në marrëveshjen për transportin e grurit përmes Detit të Zi

Ankara

Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, ka deklaruar se janë të gatshëm të kontribuojnë në marrëveshjen për një korridor të sigurt të shpërndarjes së grurit që do të krijohej në Detin e Zi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit thuhet se Abdollahian dhe homologu i tij ukrainas, Dmytro Kuleba, zhvilluan një bisedë telefonike për marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet ndërkombëtare.

Abdollahian, thuhet në njoftim, përsëriti qëndrimin e vendit të tij kundër luftës në Ukrainë dhe domosdoshmërinë e shmangies së konflikteve ushtarake. Ai shtoi se Irani është i gatshëm të kontribuojë në një zgjidhje diplomatike për të ndaluar luftën në Ukrainë.

“Duke tërhequr vëmendjen për shkaqet e krizës, ne që në fillim kemi deklaruar se jemi kundër përdorimit të luftës dhe se nuk e shohim luftën si një metodë të përshtatshme për zgjidhjen e problemit”, tha Abdollahian.

Shefi i diplomacisë iraniane theksoi se marrëdhëniet midis Iranit dhe Ukrainës mbahen gjithmonë në frymën e miqësisë, respektit, interesave të ndërsjella dhe bashkëpunimit.

"Jemi të gatshëm të kontribuojmë në marrëveshjen për hapjen e korridorit të transportit të grurit në Detin e Zi", tha ai.

Kuleba, nga ana e tij, falënderoi Iranin për kundërshtimin e luftës kundër vendit të tij dhe theksoi se qeveria ukrainase është e gatshme të marrë çdo lloj ndihme dhe mbështetje politike për t'i dhënë fund luftës.

Kuleba tha se ata janë gjithashtu të gatshëm të zgjerojnë marrëdhëniet dypalëshe me Iranin, duke përfshirë çështjet e bujqësisë dhe drithit.

Për të parandaluar që lufta ndërmjet prodhuesve më të mëdhenj në botë të drithërave, Rusisë dhe Ukrainës, të kthehet në krizë ushqimore, është planifikuar të transportohen miliona tonë drithë nga ai rajon në tregun botëror, me pjesëmarrjen e Kombeve të Bashkuara (OKB), Rusisë, Ukrainës dhe Türkiye-s.

Sipas planit, i cili është ende në fazën e zhvillimit, drithërat do të transportohen në tregjet botërore duke kaluar përmes Detit të Zi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın