Lina Altawell
30 korrik 2026•Përditësim: 30 korrik 2026
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) pretendoi sot se ka shënjestruar bazën ajrore "Al-Azraq" në shkretëtirën lindore të Jordanisë me raketa balistike, duke shkatërruar tre avionë luftarakë F-35 dhe duke dëmtuar rëndë tre të tjerë, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, IRGC-ja tha se forcat e saj të hapësirës ajrore goditën platformën e dislokimit dhe hangarin e mirëmbajtjes që strehonte avionët luftarakë amerikanë F-35 në bazën ajrore "Al-Azraq" me disa raketa balistike, duke e përshkruar sulmin si përgjigje ndaj një sulmi të SHBA-së në dy shtëpi banimi në ishullin Qeshm të Iranit.
IRGC-ja pretendon se tre avionë F-35 u shkatërruan plotësisht ndërsa tre të tjerë pësuan dëme të rënda. Ai pohon se disa oficerë si dhe personel teknik dhe të mirëmbajtjes, u vranë në sulm. Deklarata erdhi disa orë pasi një raketë goditi një shtëpi në ishullin Qeshm, duke plagosur dy persona gjatë një vale sulmesh amerikane në të gjithë Iranin jugor, njoftoi agjencisë e lajmeve Mehr.
Më herët sot, ushtria jordaneze tha se rrëzoi pesë raketa të lëshuara nga Irani drejt mbretërisë, duke shënuar ditën e katërt radhazi të incidenteve të tilla. Të mërkurën, Jordania tha se rrëzoi pesë raketa pasi përgjoi një dron të martën dhe dy dronë të hënën.
Zhvillimet erdhën pasi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se forcat amerikane nisën sulme kundër Iranit në përgjigje të asaj që ajo e përshkroi si tentativë për sulme iraniane ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme një ditë më parë.