Şahin Demir
30 korrik 2026•Përditësim: 30 korrik 2026
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, paralajmëroi të enjten kundër asaj që ai e përshkroi si “operacione nën flamur të rremë” nga Izraeli, pas një sulmi me dron ndaj një anijeje gazi në Portin e Damietës në Egjipt, duke thënë se siguria e Egjiptit është me “rëndësi të jashtëzakonshme” për Teheranin, transmeton Anadolu.
Në një postim në platformën sociale amerikane X, Araghchi e përshkroi Egjiptin si “mik dhe partner të rëndësishëm në rajon” dhe tha: “Siguria e tij është me rëndësi të jashtëzakonshme për ne”.
“Ne të gjithë duhet të jemi vigjilentë ndaj komploteve izraelite dhe operacioneve nën flamur të rremë të dizajnuara për të minuar paqen rajonale”, shkroi ai.
“Kërcënimi është i qartë, i ndërsjellë dhe i frikësohet solidaritetit mysliman”, shtoi ai.
Komentet erdhën një ditë pasi një sulm me dron shkaktoi zjarr në dy anije gazi në Portin e Damietës, në bregdetin e Mesdheut të Egjiptit.
Kryeministri egjiptian Mostafa Madbouly tha herët të enjten se autoritetet kishin gjetur mbetjet e dronit dhe po kryenin analizë të sigurisë për të përcaktuar origjinën e tij, duke theksuar se Kajro do t’i bazojë përfundimet e saj në fakte dhe jo në hamendësime.
Autoritetet egjiptiane thanë se hetimet paraprake treguan se zjarri u shkaktua nga një dron, ndërsa vunë në dukje se asnjë palë nuk ka marrë përgjegjësi dhe se hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar rrethanat e sulmit.