Irani letër shefit të OKB-së, akuzon SHBA-në për drejtimin e sulmit izraelit dhe kërkon përgjegjësi
Irani ka kërkuar kompensim nga SHBA-ja për dëmin material dhe moral të shkaktuar gjatë sulmit izraelit të 13 qershorit
Istanbul
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi ka dërguar letër zyrtare te zyrtarët më të lartë të Kombeve të Bashkuara, duke akuzuar SHBA-në për drejtimin e sulmeve izraelite ndaj vendit të tij, transmeton Anadolu.
Adresuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres dhe presidentit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, letra mban Washingtonin përgjegjës për sulmin izraelit të 13 qershorit, i cili shkaktoi një luftë 12-ditore midis dy armiqve rajonalë.
Letra vjen pas një deklarate të fundit nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump në të cilën ai pretendoi se kishte "shumë drejtimin" mbi sulmin izraelit ndaj Iranit.
Araghchi përshkroi deklaratat e Trumpit si dëshmi të qartë të udhëheqjes dhe kontrollit amerikan mbi atë që ai i quajti veprime të paligjshme të Izraelit, të cilat vranë më shumë se 1.000 persona në Iran, përfshirë komandantë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë të njohur bërthamorë.
Sipas letrës, këto sulme u kryen në shkelje të Nenit 2 të Kartës së OKB-së dhe përfshinin sulme joselektive kundër civilëve.
Sipas raportimeve, në mesin e objektivave civile kishte spitale, ambulanca, transmetuesin shtetëror, burgje dhe infrastrukturë energjetike, përfshirë objekte bërthamore nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).
Letra thekson se këto veprime ishin shkelje jo vetëm e Kartës së OKB-së, por edhe e Dokumenteve Përfundimtare të Konferencave të Rishikimit të Traktatit për Mospërhapjes së Armëve Bërthamore (NPT), rezolutave përkatëse të IAEA-s, përfshirë Rezolutat 444 dhe 533 si dhe Rezolutave 487 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (1981).
Araghchi tha se përgjegjësia për këto veprime nuk bie vetëm mbi Izraelin, por edhe mbi SHBA-në, e cila, siç tha ai, "ushtroi drejtim dhe kontroll" mbi sulmet izraelite.
Ai kërkoi që qeveria amerikane të kompensojë plotësisht dëmet materiale dhe morale të shkaktuara ndaj Iranit, përfshirë rikthimin e situatës në gjendjen e mëparshme dhe reparacionet sipas parimeve të njohura të së drejtës ndërkombëtare.
Araghchi paralajmëroi se Trumpi dhe çdo zyrtar amerikan i përfshirë mund të përballen me përgjegjësi penale individuale për ato që ai i quajti shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare, përfshirë kryerjen e agresionit, drejtimin e sulmeve ndaj civilëve, përfshirë gra, fëmijë, shkencëtarë, akademikë, gazetarë dhe të burgosur dhe synimin e qëllimshëm të oficerëve ushtarakë jashtë zonave të betejës.
"Iran ruan të drejtën për të ndjekur të gjitha rrugët ligjore për të mbajtur përgjegjës shtetet dhe individët dhe për të marrë reparacione për dëmet e shkaktuara gjatë luftës", thuhet në letër.
Tensionet midis Teheranit dhe Washingtonit janë rritur ndjeshëm që nga lufta e qershorit ndërsa negociatat bërthamore janë vendosur në pritje. Irani insiston se bisedimet do të rifillojnë vetëm kur SHBA-ja të garantojë që procesi nuk do të dëmtohet përsëri.
Washingtoni ka kërkuar që Teherani të hyjë në negociata të drejtpërdrejta mbi programin e tij bërthamor, duke insistuar se infrastruktura bërthamore e Iranit ka pësuar dëme të pariparueshme nga sulmet amerikane në tri lokacione kyç bërthamore brenda Iranit gjatë luftës 12-ditore.
