Bota, Koronavirusi

Iran, rritet në 8.134 numri i të vdekurve nga COVID-19

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, konfirmoi se në 24 orët e fundit në vend janë shënuar 63 vdekje për shkak të COVID-19

Muhammet Kurşun   | 05.06.2020
Iran, rritet në 8.134 numri i të vdekurve nga COVID-19 ( Fatemeh Bahrami - Anadolu Agency )

Teheran

Në Iran rritet në 8.134 numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Kianoush Jahanpour, bëri të ditur se në 24 orët e fundit në vend janë shënuar 63 vdekje për shkak të COVID-19.

Numri gjithsej i vdekjeve ka arritur në 8.134, dhe me 2.886 raste të reja ka arritur në 167.156 numri i përgjithshëm i rasteve, njoftoi Jahanpour.

Jahanpour theksoi se deri më tani janë shëruar 129.741 persona, ndërkohë që 2.573 pacientë janë në gjendje kritike.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë konfirmoi se deri më tani në mbarë vendin janë kryer 1 milionë e 40 mijë teste të COVID-19.

Ndër të tjera Jahanpour, theksoi se rajoni Khuzestan në jug të vendit në kufi me Irakun është përcaktuar zonë e kuqe dhe se në mesin e zonave me rrezik të lartë ndodhen edhe Azerbajxhani Lindor dhe Perëndimor, Kurdistani, Kermanshah, Bushehr dhe Hormozgan.

Në 24 orët e fundit nuk janë shënuar vdekje në 13 rajone, ndërkohë që në 5 rajone janë shënuar nga një vdekje njoftoi Jahanpour.

Në Iran numri i rasteve ditore në fillim të muajit maj ra deri në 800, por pas heqjes së ndalesave numri i rasteve kaloi sërish në rritje.

Koronavirusi për herë të parë në Iran u shfaq më 19 shkurt në qytetin Qom.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın