Haydar Karaalp
26 Gusht 2022•Përditësim: 27 Gusht 2022
Bëhet e ditur se është kryer një sulm ndaj një kolone automjetesh që i përkiste Ambasadës së Australisë në kryeqytetin e Irakut, Bagdad, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmeve në mediat lokale irakiane, një kolonë automjetesh që i përkiste ambasadës, e cila ishte duke shkuar në Zonën e Gjelbër në Bagdad, ku ndodhen ndërtesat qeveritare dhe përfaqësitë e misioneve të huaja, u vu në shënjestër të një bombe në anë të rrugës.
Mësohet se nuk ka pasur viktima dhe se vetëm njëri nga automjetet është dëmtuar nga sulmi. Njoftohet se autokolona e ambasadës më vonë hyri në Zonën e Gjelbër.
Ndërkaq, nuk është bërë asnjë deklaratë nga autoritetet e qeverisë irakiane për incidentin.
Deri më tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.