Bota

Indi, arrestohet gazetari që shpalosi ofendimet ndaj Islamit nga zëdhënësit e partisë në pushtet

Mohammed Zubair u arrestua nga policia e New Delhit me akuzën se ka lënduar ndjenjat fetare me një postim në Twitter në vitin 2018

Ekip  | 28.06.2022 - Përdıtësım : 28.06.2022
Indi, arrestohet gazetari që shpalosi ofendimet ndaj Islamit nga zëdhënësit e partisë në pushtet

New Delhi

Gazetari indian Mohammed Zubair, një bashkëthemelues i faqes së internetit për kontrollimin e fakteve, Alt News, u arrestua mbrëmë nga policia e New Delhit me akuzën se ka lënduar ndjenjat fetare me një postim në Twitter në vitin 2018, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas raporteve të mediave, Zubair u arrestua pas një ankese nga një përdorues i Twitter-it në fillim të këtij muaji, i cili pretendonte se gazetari musliman kishte fyer hindusët duke komentuar riemërtimin e një hoteli në emër të perëndisë-majmun hindu Hanuman.

Zubair ka qenë nën sulm të vazhdueshëm nga grupet Hindutva për ekspozimin e lajmeve të rreme dhe për faktin se ka shpalosur gjuhën e urrejtjes nga murgjit hindu.

Sipas informacioneve, ai ishte thirrur në pyetje në lidhje me një rast, por është arrestuar për një rast tjetër.

Policia e New Delhit konfirmoi se " i dyshuari Mohammed Zubair" u arrestua dhe do të dalë para gjykatësit ku do të kërkohet paraburgim.

"Gazetari ka qenë evaziv në pyetje dhe as nuk ka siguruar pajisjet e nevojshme teknike për qëllimin e hetimit, e as nuk ka bashkëpunuar në hetim. Gjatë hetimit, sjellja e Zubairit u zbulua si e dyshimtë, gjë që justifikoi marrjen në pyetje të tij në paraburgim për të zbardhur komplotin", thuhet në njoftimin e policisë.

Bashkëthemeluesi tjetër i Alt News, Pratik Sinha, në një deklaratë tha se Zubair në polici për një çështje të vitit 2020 për të cilën ai tashmë kishte mbrojtje kundër arrestimit nga Gjykata e Lartë.

Ai shtoi se në këtë rast, janë shkelur të drejtat e Zubairit.

Zubair u thirr nga policia dje në lidhje me një rast tjetër, por duke qenë se kishte mbrojtje kundër arrestimit nga Gjykata e Lartë, ndaj tij u ngrit një çështje e re dhe më pas u arrestua.

Zubair ishte i pari që shpalosi komentet e diskutueshme të zëdhënëses së Partisë Bharatiya Janata (BJP), Nupur Sharma për Profetin Muhamed. Më vonë, Sharma dhe një zëdhënës tjetër i BJP-së, Naveen Jindal, u pezulluan nga partia.

Jindal kishte bërë komente të diskutueshme për Islamin në mediat sociale.

Çështja u shndërrua në një polemikë të madhe, ku shumë vende muslimane shprehën pakënaqësinë e tyre për komentet përçmuese kundër Profetit Muhamed.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın