Politikë, Bota, Shëndetësi, Ekonomi

Indeksi i ndotjes së ajrit në Teheran në nivel të lartë të rrezikut

Indeksi i Cilësisë së Ajrit (AQI), i cili mat nivelin e ndotjes së ajrit, ka regjistruar rritje alarmante në kryeqytet javët e fundit, duke kaluar pragun prej 200, i cili konsiderohet "shumë i ndotur"

Ekip  | 14.01.2021 - Përdıtësım : 14.01.2021
Indeksi i ndotjes së ajrit në Teheran në nivel të lartë të rrezikut

Ankara

Gjatë disa javëve të fundit ajri në Teheran dhe në disa metropole të mëdha në mbarë Iranin është bërë jashtëzakonisht i dëmshëm, ndërsa indeksi i ndotjes arriti nivel të lartë të rrezikshëm, transmeton Anadolu Agency (AA).

Indeksi i Cilësisë së Ajrit (AQI), i cili mat nivelin e ndotjes së ajrit, ka regjistruar rritje alarmante në kryeqytet javët e fundit, duke kaluar pragun prej 200, i cili konsiderohet "shumë i ndotur".

Sipas disa studimeve, Teherani është gjithmonë ndër të parët në listën e qyteteve më të ndotura në botë. Përveç infrastrukturës dhe dendësisë së popullsisë, të cilat nuk janë të favorshme për qarkullimin normal të ajrit, gazrat e shkarkuara që emetohen nga automjetet e vjetra dhe miliona motoçikleta janë faktorët kryesorë që rrisin ndotjen e ajrit në Teheran.

Ekspertët thonë se shtresa e trashë e smogut që rrethon qytetin qëndron gjatë muajve të dimrit për shkak të një fenomeni të quajtur "përmbysja e temperaturës".

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka vendosur Teheranin në kategorinë e "qyteteve më të ndotura në botë" në vitin 2018, ndërsa Banka Botërore në raportin e saj për vitin 2018 theksoi se qyteti regjistron çdo vit 4.000 nga 12.000 vdekje që lidhen me ndotjen e ajrit.

Ky vit ka qenë më keq, sipas zyrtarëve qeveritarë dhe ambientalistëve dhe AQI ka arritur nivele rekord, jo vetëm në Teheran, por edhe në qytete të tjera të mëdha si Tabriz, Isfahan dhe Mashhad.

Nuk ka të dhëna të kohëve të fundit që tregojnë ndikimin e ndotjes së ajrit, por ekspertët thonë se numri i vdekjeve për shkak të sëmundjeve të shkaktuara nga ndotja e ajrit këtë vit ka të ngjarë të jetë më i lartë se në vitet e mëparshme.

Për shkak të betejës me pandeminë e koronavirusit të ri (COVID-19), rritja e nivelit të ndotjes paraqet një sfidë më të madhe për agjencitë qeveritare dhe punonjësit shëndetësorë me një numër në rritje të shtrimeve në spital.

Sipas raportimeve të paradokohshme që i publikoi Kompania e Teheranit për kontroll të cilësisë së ajrit, banorët e Teheranit gjatë disa muajve të fundit kanë thithur më shumë ajër të ndotur se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Gjatë gjithë dhjetorit, AQI mbeti në "zonën e kuqe" (151-200), që do të thotë "jo e shëndetshme".

Ndonjëherë indeksi madje tejkalonte shenjën 300, që konsiderohet "e rrezikshme".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın