Bota

Hong Kong, vazhdojnë protestat kundër ndalimit të maskave

Pavarësisht motit me shi, mijëra persona me maska kanë mbushur rrugët e Hong Kongut duke marshuar me sloganet "Të vendosësh maskë nuk është krim"

Ayşe Doğru  | 06.10.2019 - Përdıtësım : 07.10.2019
Hong Kong, vazhdojnë protestat kundër ndalimit të maskave

Hong Kong

Vazhdojnë protestat në rajonin special administrativ Hong Kong të Kinës pas ndalimit për maskat që qeveria vendosi të premten, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pavarësisht motit me shi, mijëra persona me maska kanë mbushur rrugët e Hong Kongut duke marshuar me sloganet "Të vendosësh maskë nuk është krim".

Policia ka tentuar të shpërndajë protestuesit me gaz lotsjellës në disa pika dhe herë-herë janë shënuar përleshje mes forcave të sigurisë dhe protestuesve.

Patricia Anyeung, një nga pjesëmarrëset në protestë tha se shefja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, nuk ka të drejtë të vendosë në qytet çdo ndalesë që ajo dëshiron.

Ndërsa një punonjës policie i cili nuk deshi të zbulojë emrin tha se gjatë protestave janë arrestuar shumë persona të cilët kanë shkelur ligjin që parashikon dënimin me një vit burg dhe gjobë për vendosjen e maskave në mënyrë të paligjshme si dhe gjatë tubimeve ligjore.

Shumë qendra tregtare kanë qenë të mbyllura ndërsa janë hapur gjysma e stacioneve të trenit dhe metrove të cilat u mbyllën dje pasi në protesta u përshkallëzua dhuna. Disa protestues dje vendosën barrikada në disa rrugë dhe dëmtuan shumë dyqane.

- Protestat në Hong Kong

Hong Kongu u bë skenë protestash të paprecedentë që nga fillimi i qershorit kundër masës së qeverisë lokale për të legalizuar ekstradimin në Kinë.

Projektligji që parashikonte ekstradimin në Kinë, rajonin special Macao dhe në Tajvan të personave që janë të dënuar ose ndaj të cilëve ka pretendime akuzuese në Hong Kong, u parashtrua në Parlament më 3 prill.

Pavarësisht se projektligji përjashton krimet politike, në Hong Kongun me popullsi prej 7.4 milionë banorësh, shumica e popullatës ndante shqetësimin se njerëzit do t'i nënshtrohen paraburgimit arbitrar, proceseve të padrejta gjyqësore dhe madje edhe torturave nën sistemin gjyqësor të Kinës.

Opozitarët kanë shprehur shqetësime se nëse ligji miratohet, ai do të rezultojë që Kina të vendosë në shënjestër opozitarët politikë në Hong Kong.

Protestat më vonë vazhduan pavarësisht se shefja ekzekutive e Hong Kongut, Carrie Lam, kishte njoftuar tërheqjen e projektligjit.

Hong Kongu është rajon autonom i Kinës nën formulën "Një vend, dy sisteme" që nga 1 korriku i vitit 1997, kur Britania e Madhe ia dorëzoi ish-koloninë e saj Pekinit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın