Bota

Historiani francez Filiu: Macron po tregon "obsesion të çuditshëm" ndaj Turqisë në Magreb

"Duke u përqendruar shumë tek Erdoğan, Macron harron se kërcënimet më serioze për ndikimin francez në Magreb vijnë kryesisht nga Rusia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe", tha Filiu

Yusuf Özcan   | 18.10.2021
Historiani francez Filiu: Macron po tregon "obsesion të çuditshëm" ndaj Turqisë në Magreb

Paris

Historiani francez Jean-Pierre Filiu konsideron se presidenti i Francës, Emmanuel Macron është shumë i fiksuar me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, duke shtuar se në fakt, ai harron se kërcënimet më serioze ndaj ndikimit francez në Magreb vijnë kryesisht nga Rusia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), transmeton Anadolu Agency (AA).

Filiu, një ekspert për Lindjen e Mesme, botoi një tekst autorial në gazetën franceze "Le Monde" me titull "Obsesioni i çuditshëm i Francës me Turqinë në Magreb".

"Presidenti francez Macron në deklaratat e tij mbi Magrebin, e merr Turqinë si objektiv. Megjithatë, Rusia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po përpiqen të rrezikojnë ndikimin francez në Magreb", tha Filiu.

Kërcënimet për ndikimin francez në Magreb

Ai thekson se vizita e presidentit algjerian Abdelmadjid Tebboune në Ankara do të arrijë kulmin në marrëdhëniet midis Algjerisë dhe Turqisë. "Duke u përqendruar shumë tek Erdoğan, Macron harron se kërcënimet më serioze për ndikimin francez në Magreb vijnë kryesisht nga Rusia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Shkurtpamësia e presidentit francez në Magreb buron nga politika e tij e gabuar në Libi gjatë tre viteve të para", tha Filiu.

Ky ekspert është i mendimit se mbështetja e Macronit për Khalifa Haftarin, udhëheqësin e forcave të paligjshme në lindje të Libisë, shkaktoi vazhdimin e luftës civile në këtë vend në vitin 2019 dhe rrezikoi seriozisht përpjekjet e ndërmjetësimit të Kombeve të Bashkuara (OKB). Ai theksoi se Franca "fshehurazi" ra në anën e Rusisë, EBA-së, Egjiptit dhe Arabisë Saudite.

"Sulmi i Haftarit rezultoi në drejtimin e qeverisë në Tripoli drejt Turqisë. Ndërhyrja e Turqisë përmbysi situatën ushtarake dhe shpërndau "mercenarët" rusë që ishin në anën e Haftarit", tha Filiu.

Franca i konsideron synimet e Turqisë armiqësore

Në këtë kontekst, Filiu tërhoqi vëmendjen për faktin se Franca miraton qëllimet e Rusisë ndaj Magrebit ndërsa i konsideron armiqësore synimet e Turqisë.

"Është paradoksale të dëgjosh presidentin francez të dënojë sistemin anti-francez politiko-ushtarak në Algjeri, pa përmendur Rusinë, aleatin kryesor të atij sistemi. Heshtja në lidhje me partneritetin ushtarak algjeriano-rus është veçanërisht shqetësuese", tha eksperti i njohur.

Ai gjithashtu kujtoi se Macron ka shprehur hapur afërsinë e tij, madje "partneritetin" me Princin e Kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe Mohammed bin Zayed Al Nahyan, duke shtuar se rezervat e Francës ndaj Abu Dhabi-t ishin zhdukur pasi Emiratet e Bashkuara Arabe nënshkruan një marrëveshje paqeje me Izraelin në shtator të vitit 2020.

"Vet Mohammed bin Zayed ka marrëdhënie të hapura me armiqtë e dukshëm të Francës, veçanërisht me Ramzan Kadyrov, udhëheqësin e Republikës Çeçene", theksoi Filiu.

Roli i EBA-së dhe Egjiptit

Siç theksoi, duke sabotuar "rendin demokratik" në Tunizi, Nahyan po hakmerret për humbjen e Haftarit në Libi. Duke pretenduar se EBA dhe Egjipti luajtën një rol të rëndësishëm në vendimin e presidentit tunizian Kais Saeed për të "pezulluar rendin kushtetues" në vendin e tij, Filiu beson se EBA gjithashtu kanë kontribuar në përshkallëzimin e tensioneve midis Algjerisë dhe Marokut.

E kaluara koloniale e Francës

Në përpjekje për të lehtësuar të kaluarën mizore koloniale të Francës, Macron kohët e fundit deklaroi se "ka ekzistuar kolonizim para sundimit kolonial francez" në Algjeri, duke aluduar në praninë osmane në vend midis viteve 1514 dhe 1830.

"Ndërtimi i Algjerisë si komb është një fenomen që meriton vëmendje. A kishte komb algjerian para kolonizimit francez? Kjo është pyetja. Ka pasur kolonizime të mëparshme. Jam i fascinuar kur shoh aftësinë e Turqisë për të bindur njerëzit që të harrojnë plotësisht rolin që kishte në Algjeri dhe dominimin që kishte dhe të shpjegon se ne jemi kolonizatorët e vetëm. Algjerianët besojnë në këtë", tha Macron.

Presidenti francez pretendon se historia zyrtare e Algjerisë është rishkruar në mënyrë që ajo të mos "bazohet në të vërtetën, por në urrejtjen ndaj Francës".

"Kombi i Algjerisë pas vitit 1962 u ndërtua mbi kujtesën. Algjeria beson se Franca ka shkaktuar të gjitha problemet e tyre", tha Macron duke shtuar se ata duan të botojnë botime arabe dhe berbere për të kundërshtuar "dezinformimin" dhe "propagandën" në Magreb që "zbatojnë turqit dhe duke ndryshuar plotësisht historinë".

Rajoni i Magrebit

Magrebi është një rajon i kontinentit afrikan i vendosur në veri të Saharasë dhe në perëndim të Nilit. Ai përfshin Marokun, Algjerinë, Tunizinë, Libinë dhe në një masë më të vogël Mauritaninë. Emri vjen nga një fjalë arabe që do të thotë perëndimore ndërsa kuptimi fillestar i atij emri ishte "vendet në perëndim të Egjiptit".

Jean-Pierre Filiu është një profesor francez i studimeve të Lindjes së Mesme në "Sciences Po", një shkollë në Paris për marrëdhënie ndërkombëtare dhe një arabist.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın