Bota

Hamas i bën thirrje Marokut të tërhiqet nga marrëveshjet me Izraelin

"Nuk mund të ketë asnjë arsyetim kryesisht për marrëveshjet ushtarake dhe të sigurisë që ka nënshkruar me armikun sionist", thuhet në një deklaratë me shkrim nga Lëvizja Hamas

Hamdi Yıldız  | 28.11.2021 - Përdıtësım : 29.11.2021
Hamas i bën thirrje Marokut të tërhiqet nga marrëveshjet me Izraelin

Gaza

Lëvizja Hamas i bëri thirrje Marokut që të shkëpusë marrëdhëniet dhe të tërhiqet menjëherë nga marrëveshjet ushtarake dhe të sigurisë që ka nënshkruar kohët e fundit me Izraelin, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Nuk mund të ketë asnjë arsyetim kryesisht për marrëveshjet ushtarake dhe të sigurisë që ka nënshkruar me armikun sionist", thuhet në një deklaratë me shkrim nga Lëvizja Hamas.

Në deklaratë bëhet e ditur se hapi i ndërmarrë është kthim prapa dhe se kjo situatë nuk do të çojë në asnjë vend tjetër veçse në derdhjen e më shumë të gjakut të popullit palestinez.

Më tej në deklaratë thuhet se "pritja nga Maroku e ministrit izraelit të Mbrojtjes, Benny Gantz, një krimineli lufte që krenohet me vrasjen e arabëve dhe palestinezëve është një gabim i madh kundër kauzës dhe popullit të Palestinës".

Së fundmi në deklaratë i bëhet thirrje Marokut që të tërhiqet menjëherë nga marrëveshjet që ka bërë me Izraelin dhe veçanërisht popullit maroken i bëhet thirrje që t‘i përgjigjet dëshirave të botës arabe dhe islame.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz më 23 nëntor qëndroi për herë të parë në Marok për një vizitë dy ditore pas marrëveshjes për "normalizimin e marrëdhënieve" që u nënshkrua vitin e kaluar mes dy vendeve.

Normalizimi i marrëdhënieve Marok-Izrael

Marrëdhëniet në nivel të ulët mes Rabatit dhe Tel Avivit filluan pas Marrëveshjes së Oslos që u nënshkrua në vitin 1993 mes palestinezëve dhe Izraelit ndërsa Maroku i ndërpreu këto marrëdhënie në vitin 2002 gjatë Intifadës së Dytë.

Presidenti i SHBA-së në atë periudhë, Donald Trump më 10 dhjetor 2020 njoftoi se Maroku dhe Izraeli arritën marrëveshje për formimin e marrëdhënieve të plota diplomatike dhe se kanë nënshkruar një deklaratë për njohjen e dominimit të Marokut në Saharanë Perëndimore. Edhe Mbreti i Marokut, Mohammed VI njoftoi se marrëdhëniet me Izraelin do të vendosen "në kohën më të afërt".

Maroku dhe Izraeli më 22 dhjetor 2020 nënshkruan 4 marrëveshje në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve diplomatike.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.