Bota

Grupi G7 u bën thirrje vendeve dhe kompanive të shmangin rezervat e tepërta të ushqimit

"Si një lehtësim afatshkurtër, ne u bëjmë thirrje atyre partnerëve me rezerva të mëdha ushqimore si dhe sektorit privat që të vënë ushqimin në dispozicion pa shtrembëruar tregjet", thuhet në deklaratën e përbashkët

Aysu Biçer   | 28.06.2022
Grupi G7 u bën thirrje vendeve dhe kompanive të shmangin rezervat e tepërta të ushqimit

Schloss Elmau

Në ditën e fundit të samitit të Grupit G7 në Gjermani, liderët e ekonomive më të mëdha të botës u bënë thirrje vendeve dhe kompanive në mbarë botën që të shmangin rezervat e tepërta të ushqimit për të lehtësuar mungesën, raporton Anadolu Agency (AA).

"Si një lehtësim afatshkurtër, ne u bëjmë thirrje atyre partnerëve me rezerva të mëdha ushqimore si dhe sektorit privat që të vënë ushqimin në dispozicion pa shtrembëruar tregjet", thuhet në deklaratën e përbashkët të grupit.

Shtetet e G-7 u zotuan gjithashtu për një shtesë prej 4,5 miliardë dollarësh për të mbrojtur më të cenuarit nga uria dhe kequshqyerja, duke arritur në mbi 14 miliardë dollarë në angazhimin e tyre të përbashkët për sigurinë globale të ushqimit këtë vit.

Udhëheqësit gjithashtu i bënë thirrje Rusisë që "pa kushte" t'i japë fund bllokadës së porteve ukrainase në Detin e Zi.

"Ne do të shtojmë përpjekjet tona për të ndihmuar Ukrainën që të vazhdojë të prodhojë produkte bujqësore në funksion të sezonit të ardhshëm të korrjes dhe do të angazhohemi për të mbështetur fermerët ukrainas të kenë qasje në inputet thelbësore bujqësore dhe ilaçet veterinare", thuhet në deklaratë.

Vendet e Grupit G7 thanë gjithashtu se do të shtojnë përpjekjet e tyre për të krijuar rrugë alternative në bazë të të ashtuquajturave "korsi solidariteti" të BE-së për ndihmën humanitare dhe për të siguruar që Ukraina të mund të eksportojë grurë dhe të importojë mallra thelbësore pavarësisht bllokadës ruse në portet ukrainase të Detit të Zi.

"Ne po mbështesim fuqishëm Ukrainën në rifillimin e eksporteve të saj bujqësore në tregjet botërore, si dhe përpjekjet e OKB-së për të zhbllokuar një korridor të sigurt detar përmes Detit të Zi", theksohet në deklaratë.

"Duke punuar me agjencitë dhe partnerët përkatës, ne do të bashkëpunojmë për të identifikuar origjinën e importeve të grurit, me qëllim identifikimin e produkteve ukrainase të sekuestruara ilegalisht dhe për të penguar Rusinë nga vazhdimi i konfiskimeve të paligjshme", thuhet gjithashtu në deklaratë.

Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin javën e kaluar tha se vendi do të jetë në gjendje të furnizojë 50 milionë tonë drithë në tregun global këtë vit.

Duke folur në një takim të formatit BRICS Plus përmes video-konferencës nga Moska, Putin tha se dërgesat do të varen nga situata me sigurimin e anijeve, transportin e ushqimit, pagesat bankare dhe kufizimet e tjera të vendosura ndaj Rusisë.

"Rusia nuk e pengon eksportin e grurit ukrainas nga territori i këtij vendi dhe është e gatshme të sigurojë kalimin e lirë të anijeve me drithë në ujërat ndërkombëtare", tha ai.

Putin tha se Moska ka arritur mirëkuptim për këtë çështje me përfaqësuesit e OKB-së, duke shtuar se e vetmja gjë që mungon në organizimin e eksportit është bashkëpunimi i Kievit.

Tonelatat e grurit ukrainas janë bllokuar për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, duke shkaktuar mungesa globale dhe rritje të çmimeve. Rusia, e cila akuzohet se përdor ushqimin si armë, thotë se sanksionet perëndimore janë fajtore për mungesën e ushqimit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
G7
Bu haberi paylaşın