Bota

Greqia kërkon ndihmë shtesë të BE-së për refugjatët në Turqi

Koumoutsakos tha se pavarësisht kritikave të ndryshme, marrëveshja e refugjatëve BE-Turqi e vitit 2016 mbetet instrument i vetëm në dispozicion për të adresuar krizën e refugjatëve

Ayhan Şimşek   | 02.10.2019
Greqia kërkon ndihmë shtesë të BE-së për refugjatët në Turqi Foto: AA/Arhiv

Berlin

Greqia ka kërkuar ndihmë financiare shtesë të Bashkimit Evropian (BE) për Turqinë që të përballet me refugjatët në këtë vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri alternativ grek për politikën e migracionit, Giorgos Koumoutsakos, mediave gjermane u tha se pavarësisht kritikave të ndryshme, marrëveshja e refugjatëve BE-Turqi e vitit 2016 mbetet instrument i vetëm në dispozicion për të adresuar krizën e refugjatëve.

“Ne duhet të pranojmë se Turqia ka marrë një barrë të madhe duke strehuar gati katër milionë refugjatë dhe migrantë. Unë besoj se BE-ja duhet të marrë në konsideratë mbështetje shtesë për Turqinë”, tha Koumoutsakos për të përditshmen gjermane ‘Suddeutsche Zeitung’.

Koumoutsakos po ashtu theksoi se Greqia pret më shumë mbështetje nga partnerët e saj në BE-, pasi shumica e migrantëve të parregullt që shkojnë në Evropë kalojnë së pari në Greqi përmes rrugës e Mesdheut Lindor.

Komentet e tij vijnë para vizitës së nesërme në Ankara të ministrit gjerman të Punëve të Brendhsme, Horst Seehofer, për të diskutuar mënyrat për të përmirësuar zbatimin e marrëveshjes BE-Turqi.

Seehofer, politikan konservator dhe një aleat i ngusht i kancelares Angela Merkel, gjatë vizitës në Ankara do të shoqërohet nga ministri francez i Punëve të Brendshme, Christophe Castaner dhe komisioneri i BE-së për migracionin, Dimitris Avramopoulos.

Seehofer, Castaner dhe Avramopoulos të premten pritet të vizitojnë Athinën.

Gjermania përkrahu marrëveshjen e refugjatëve BE-Turqi të vitit 2016 me shpresën për të ndaluar fluksin e refugjatëve, pasi gati një milion kishin arritur në vend.

Marrëveshja ka qenë e suksesshme në reduktimin e ndjeshëm të numrit të kalimeve në Detin Egje, si dhe në parandalimin e humbjeve të jetëve të migrantëve. Mirëpo, pengesat burokratike të BE-së dhe vonesat për të mobilizuar fondet e premtuara çuan në kritika të ashpra nga politikanët turq.

BE premtoi 6 miliardë euro për të përmirësuar kushtet e jetesës së refugjatëve sirianë në Turqi, por deri në qershor të vitit 2019 janë siguruar vetëm 2.22 miliardë euro.

Vendet anëtare të BE-së po ashtu premtuan se për çdo sirian të kthyer në Turqi nga ishujt grekë, një sirianë tjetër nga Turqia do të zhvendoset në BE si pjesë e një plani të rivendosjes. Mirëpo, ritmi i kthimit në Turqi nga ishujt grekë ka qenë i ngadalshëm kryesisht për shkak të proceseve të gjata ligjore dhe problemeve administrative në Greqi.

Që nga viti 2016, vendet anëtare të BE-së nga Turqia pranuan vetëm rreth 20 mijë refugjatë sirianë.

Turqia aktualisht strehon 3.6 milionë refugjatë sirianë, më shumë se çdo vend tjetër në botë. Sipas shifrave zyrtare, Ankaraja deri më tani ka shpenzuar 40 miliardë dollarë për refugjatët.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.