Bota

"Greqia dëshiron të fillojë negociatat me Libinë për të përcaktuar zonat e juridiksionit detar"

Në një deklaratë nga kryeministria e Greqisë thuhet se "Mitsotakis dhe Menfi ranë dakord për të filluar menjëherë negociatat për përcaktimin e zonave të juridiksionit detar"

Tevfik Durul  | 14.04.2021 - Përdıtësım : 15.04.2021
"Greqia dëshiron të fillojë negociatat me Libinë për të përcaktuar zonat e juridiksionit detar"

Athinë

Greqia njoftoi se me Libinë janë dakorduar për të filluar menjëherë negociatat për të përcaktuar zonat e juridiksionit detar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kreu i Këshillit Presidencial të Libisë, Mohammad Menfi, i cili ndodhet në kryeqytetin e Greqisë, Athinë, për vizite zyrtare, u takua me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.

Në një deklaratë nga kryeministria e Greqisë pas takimit, thuhet se "Mitsotakis dhe Menfi ranë dakord për të filluar menjëherë negociatat për përcaktimin e zonave të juridiksionit detar".

Njoftohet se Mitsotakis ka shprehur falënderimet ndaj Menfi për qëllimet pozitive mbi këtë çështje dhe ka vënë në dukje se të gjithë ushtarët e huaj duhet të tërhiqen nga Libia.

Theksi është vënë mbi rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, thuhet gjithashtu në deklaratën në të cilën njoftohet se në një periudhë të afërt zv.ministri i Jashtëm grek, Kostas Frangogiannis, do të vizitojë Libinë për të diskutuar potencialin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë.

Periudha e re mes Libisë dhe Greqisë

"Pas disa periudhave të vështira mes dy vendeve, ndodhemi sërish në një periudhë goxha frytdhënëse", theksohet në deklaratën në cilën nënvizohet që janë intensifikuar vizitat e ndërsjella.

Ndërsa Menfi në takimin e tij me Mitsotakis, duke tërhequr vëmendjen në marrëdhëniet historike mes Libisë dhe Greqisë, është shprehur se "Edhe pse marrëdhëniet tona në një pikë kanë kaluar nga kohë të vështira, këto mund të zgjidhen me rrugën e dialogut".

Pasi ka rikujtuar se ka qenë me detyrë në ambasadën e Libisë në Athinë, Menfi tha se kompanitë greke punojnë për të forcuar praninë e tyre në Libi dhe se në këtë fazë dëshirojnë forcimin e marrëdhënieve ekonomike.

Duke iu referuar sovranitetit të Libisë, Menfi theksoi se është e rëndësishme që Kombet e Bashkuara (OKB) dhe Bashkimi Evropian (BE) të mbështesin Libinë. Ai më tej theksoi se shpresojnë që edhe Athina do të vazhdojë mbështetjen ndaj tyre në të gjitha platformat ndërkombëtare.

Pas takimit me Mitsotakis, Menfi u takua edhe me presidenten Katerina Sakellaropoulou.

Kryeministri Mitsotakis dhe ministri i Jashtëm Nikos Denias, në një vizitë që zhvilluan më 6 prill në Tripoli kërkuan nga qeveria e Tripolit anulimin e marrëveshjes për zonat e juridiksionit detar të kryer me Turqinë.

Pas një takimi me Menfi dhe me kryeministrin e Unitetit Kombëtar të Libisë, Abdul Hamid Dbeibah, kryeministri grek Mitsotakis mori pjesë në ceremoninë e hapjes së ambasadës së vendit të tij në Tripoli.

Ministri Dendias, pas kësaj vizite shkoi sërish në Libi më 12 prill ku dhe mori pjesë në ceremoninë e hapjes së konsullatës greke në Bengazi.

Menfi ishte shpallur "person i padëshirueshëm" nga Greqia

Menfi i cili më parë kryente detyrën e ambasadorit të Libisë në Greqi, u shpall "person i padëshirueshëm" nga Greqia dhe u dëbua nga vendi më 6 dhjetor 2019 me arsyetimin se ai kishte refuzuar kërkesën e Athinës që të jepte deklaratë kundër memorandumit që Turqia dhe Libia nënshkruan më 27 nëntor 2019 lidhur me kufizimin e zonave të juridiksionit detar.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.